75 Mall Live Search
10:03 / E Diele, 14 Shtator 2025 / Gj Sh

​Kosovë-Shqipëri, përballje historike në basketboll për EuroBasket 2029

Kosova dhe Shqipëria për herë të parë, do të përballen mes vete në basketboll, përkatësisht në parakualifikimet për FIBA EuroBasket 2029, një duel që ngjall emocione të veçanta për të dyja kombëtaret.

Përfaqësuesit e dy federatave theksojnë rëndësinë e këtyre ndeshjeve, jo vetëm për rezultatet sportive, por edhe për atmosferën unike që sjellin.

Drejtori i Kombëtares së Kosovës, Adriatik Rraci, thotë për KosovaPress, se Kosova do të kërkojë me ngulm fitoren ndaj Shqipërisë për të rritur gjasat e kalimit në raundin e dytë të parakualifikimeve.

Rraci: Do të kërkojmë me ngul fitoren ndaj Shqipërisë

“Ndeshje zyrtare nuk kemi pasur deri më tani dhe po besoj që këto ndeshje kundër Shqipërisë, përkundër rezultatit sportiv, do të jenë shumë emocionuese si për ne ashtu edhe për ata dhe po besoj që përkundër rezultatit përfundimtar i cili do të jetë besoj që do të jetë një kënaqësi shumë e madhe për të gjithë shikuesit që do t’i ndjekin përballjet tona edhe në Shqipëri edhe në Kosovë…Ne do të tentojmë që ta arrijmë rezultatin maksimal gjatë këtyre dy ndeshjeve, duhet ditur se në raundin e dytë të parakualifikimeve shkojnë tre liderët ë grupeve dhe skuadra e dytë më e mirë e rangua dhe për të shkuar si skuadra e dytë e ranguar ne duhet t’i bëjmë matematikat tona sepse do të njihen edhe rezultatet e ndeshjeve direkte. Ne duhet të bëjmë gjithçka që kosh-dallimin ta kemi në favorin tonë dhe të mos ia lëmë rastit asnjë matematikë por të tentojmë që në çdo mënyrë të kalojmë në raundin e dytë të parakualifikimeve”, thekson Rraci.

Ndërsa, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, e sheh këtë sfidë si një ngjarje të veçantë dhe një garë të bukur mes dy “vëllezërve”, ku fituesi do të përcaktohet vetëm në parket.

Ponari: Kosova ka nivel më të lartë se ne në sportin e basketbollit

“Për ne është kënaqësi që për herë të parë ndeshemi me Kosovën në një eveniment të këtij niveli kështu që e mirëpresim dhe ka qenë një ngjarje e veçantë. E vlerësojmë, pavarësisht se niveli i basketbollit në Shqipëri është më i ulët se niveli i basketbollit në Kosovë për shumë arsye, por baza është baza financiare. Kosova ka një mbështetje më të madhe financiare dhe për këtë arsye edhe basketbolli është shumë më lartë. Shpresojmë që të dy kombëtaret të japin një garë të bukur dhe ndoshta do të jetë një nga garat më të bukura.”, thotë Ponari.

Ponari shton se do të ishte i gëzuar në mënyrë të barabartë si për Kosovën, ashtu edhe për Shqipërinë nëse ndonjëra prej tyre do të renditej si e para në grupin C.

Ponari: Fitorja në fushë do të kërkohet me ngulm, pa marrë parasysh raportet tona

“Natyrisht ndeshja është ashtu që është kur luajnë dy vëllezër ose dy shokë, njëri do të fitojë dhe lufta për të fituar është e barabartë, kështu që ne në ndeshje do të kërkojmë fitoren me Kombëtaren e Kosovës dhe Kosova do ta kërkojë fitoren me Kombëtaren e Shqipërisë, pra rezultati në fund do të jetë ai që do të jap koshi. Do isha shumë i lumtur që Kosova ta zinte vendin e parë, ashtu siç do isha i lumtur që Shqipëria ta zinte këtë vend, për mua është i njëjti gëzim, nuk ka ndonjë ndryshim te kjo”, theksoi Ponari.

Ndeshja e parë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë zhvillohet më 30 nëntor. Kjo do të jetë ndeshja e vetme në dritaren e parë, ndërsa në dritaren e dytë, Kosova e pret Sllovakinë më 27 shkurt 2026.