75 Mall Live Search
16:59 / E Hënë, 20 Tetor 2025 / b l

​KQZ-ja i afrohet shpalljes së rezultateve përfundimtare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar se është në fazën përfundimtare të aktiviteteve të cilat duhet të zhvillohen për të ardhur deri te shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale, të cilat u mbajtën më 12 tetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se pas përfundimit të aktiviteteve në qendrat komunale të numërimit, procesi i numërimit të votave jashtë Kosovës do të përmbyllet gjatë ditës së hënë, për t’i hapur rrugë numërimit të votave të fundit nga votimi e kusht.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën përfundimtare të aktiviteteve të cilat duhet të zhvillohen pas ditës së votimit për të ardhur te shpallja e rezultateve përfundimtare”, tha Elezi.

Ai kujtoi se gjatë javës së kaluar në 38 QKN-të brenda 6 ditësh janë verifikuar rezultatet për 2,571 vendvotime të rregullta nga zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për kuvendet komunale, si edhe është bërë numërimi i votave të kandidatëve nga zgjedhjet për kuvende komunale.

Elezi tregoi se KQZ-ja planifikon që të hënën të përmbyllë numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës dhe pas tyre planifikohet të numërohen edhe votat e fundit, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

“Gjatë ditës së sotme, e hënë, planifikohet të përmbyllet numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, një proces i cili ka filluar të premten pasdite. Pas tyre, në radhë për tu numëruar janë fletëvotimet që i takojnë votimit me kusht, i mundësuar në 54 vendvotime me kusht në 38 komuna dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është mundësuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile. Në votimin me kusht janë më shumë se 2,100 zarfe me fletëvotime që u takojnë dy lloje të zgjedhjeve, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është më shumë se 3,400”, tha Elezi.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, subjektet politike dhe kandidatët mund të parashtrojnë ankesat e tyre lidhur me rezultatet.

Procesi mund të zgjasë disa ditë deri në certifikimin, apo përmbylljen përfundimtare të procesit zgjedhor.