75 Mall Live Search
18:58 / E Shtunë, 25 Tetor 2025 / BA

​KQZ shpall rezultatet finale për 35 komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar sot rezultatet përfundimtare për 35 kryetarë të komunave në zgjedhjet e 12 tetorit.

Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi në një konferencë për media tha se për shkak të ankesave publikimi i rezultateve për Prishtinë, Junik e Mamushë do të bëhet në ditët e ardhshme.

“Njoftoj se KQZ ka komunikuar me PZAP-in dhe nga PZAP kemi marrë konfirmim se nuk ka ankesa aktive në lidhje me zgjedhjet për kryetar të komunave për shumicën e komunave, përveç Komunës së Prishtinës, Juniku, Mamushës, të cilat ankesa janë në trajtim e sipër, andaj KQZ-ja sot do të bëjë shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve për 35 komuna tjera, ndërsa për tri komunat e mbetura shpallja e rezultateve do të bëhet në ditët në vijim pasi të konsumohen të gjitha mundësitë për parashtrimin e ankesave edhe në Gjykatën Supreme”, ka thënë Radoniqi.

Në Deçan ka fituar Bashkim Ramosaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Në Ferizaj ka fituar Agim Aliu i Partisë Demokratike të Kosovës, në Lipjan Imri Ahmeti Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë, Sami Lushtaku në Skenderaj nga PDK, Kadri Rahimaj Lëvizja Vetëvendosja në Kamenicë, Ilir Ferati LDK në Istog.

Në Shtimë ka fituar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Qemajl Aliu. Malishevën e ka fituar Ekrem Kastrati i Nismës, Ramiz Lladrovci Për Drenasin Kampion ka fituar në Drenas dhe Mehmet Ballazi i PDK-së në Hanin e Elezit. Lista Serbe ka fituar në 9 komuna -Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Ranillug, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq dhe Graçanicë.

Ndërsa Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, dhe Kllokoti janë komunat që kandidatët për kryetarë do të përballen në balotazh, sipas rezultateve finale të KQZ-së.

Mamusha e Juniku, aktualisht janë në balotazh sipas rezultateve preliminare, por për këto dy komuna do të dihet saktë pas shqyrtimit të ankesave.

Në Mamushë, Abdülhadi Krasniç nga KDTP, ka 32 vota më shumë se Fikret Morina – Mamuşa Halk Hareketi sipas rezultateve preliminare. Në Junik, sipas rezultateve preliminare, me më pak se 400 vota prin Ruzhdi Shehu nga LDK-ja ndaj Agron Kuçit nga AAK-ja.

Prishtina më 9 nëntor do të votojë midis kryetarit aktual Përparim Rama LDK dhe Hajrulla Çekut VV. Këta të dy kanë diferencë prej 518 votash nga raundi i parë – Përparim Rama 33.71 për qind ose 35.595 vota, Hajrulla Çeku 33.21 për qind ose 35.077, sipas rezultateve preliminare.

Betejë interesante pritet edhe në Mitrovicën e Jugut ndërmjet Faton Pecit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arian Tahiri PDK. Diferenca mes tyre në garën e raundit të pare ishte vetëm 122 vota.

Garë e ngushtë pritet edhe në Obiliq midis Xhafer Gashit LDK dhe Halil Thaçit Lëvizja Vetëvendosje, ku diferenca nga raundi i parë është vetëm 233 vota.

Kryetari aktual Alban Hyseni nga VV dhe Arbër Ismajli LDK do të përballen në Gjilan. Alban Hyseni më 12 tetor ka rreth 7 mijë vota më shumë.

Gjakova do të vendosë ndërmjet dy kandidatëve me të njëjtën emër – Ardian Gjini AAK dhe Ardian Gola VV. Kandidati i partisë së Ramush Haradinajt në raundin e parë ka mbi 6500 vota epërsi.

Bexhet Xheladini LDK e Shaban Shabani PDK do të garojnë për Dragash. Xheladini në raundin e parë ka mbi 2500 vota më shumë se kundërkandidati i tij.

Shaqir Totaj PDK ka mbi 7 mijë vota epërsi ndaj kundërkandidatit Artan Abrashi nga VV-ja nga raundi i parë në Prizren.

Bali Muharremaj nga AAK në raundin e parë ka më shumë se 4 mijë vota ndaj Ardian Shalës nga LDK-ja para balotazhit në Suharekë.

Vitia është në garë të ngushtë ndërmjet Sokol Halitit të LDK-së dhe Arsim Ademit nga VV. Kandidati i LDK-së ka epërsi nga raundi i parë prej vetëm 944 votash.

Ferit Idrizi nga PDK-ja hyn në garë më 9 nëntor për kreun e Vushtrrisë me epërsinë prej më shumë se 4400 votash nga raundi i parë përballë Sylejman Mehollit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Valon Prebreza hyn me rreth dy mijë vota epërsi nga raundi i parë në raport me kandidatin e LDK-së Besnik Osmani për kryetar të Fushë-Kosovës.

Smajl Latifi nga AAK dhe Ali Dula Lëvizja Vetëvendosje garojnë në Rahovec, me epërsinë e kandidatit nga partia e Ramush Haradinajt nga raundi i parë me 2879 vota.

Në Kaçanik gara është midis Sabedin Vishit nga PDK-ja dhe Jeton Rakës nga Lëvizja Vetëvendosje, me epërsi prej rreth 300 votash nga kandidati i partisë së Memli Krasniqi nga raundi i parë më 12 tetor.

Peja vendos për të parin e komunës midis Gazmend Muhaxherit nga LDK-ja dhe Taulant Kelmendi nga Lëvizja Vetëvendosje. Më 12 tetor, kandidati i partisë së Lumir Abdixhikut ka epërsi prej 7903 votash.

Në Klinë do të vendoset midis Zenun Elezajt nga AAK-ja dhe Sokol Bashtosë nga PDK-ja, me diferencë prej 2454 votash.

Kllokoti do të vendosë ndërmjet dy kandidatëve nga komuniteti serb Bozhidar Dejanoviq – Lista Serbe dhe Sreçko Spasiq – Srpska Narodna Sloga (SNS), me diferencë prej 219 votash nga raundi i parë.

Kujtojmë, më 2021 pa balotazh fituan Deçani Bashkim Ramosaj AAK, Mitrovica e Jugut Bedri Hamza PDK, Lipjan Imri Ahmeti LDK, Skënderaj Fadil Nura PDK, Suhareka Bali Muharremaj AAK, Peja Gazmend Muhaxheri LDK, Ferizaj Agim Aliu PDK, Hani i Elezit Mehmet Ballazhi PDK. Lista Serbe fitoi në Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut, Graçanicë, Novobërdë, Shtërpcë, Ranillug, Zveçan, Partesh.

Komunat në balotazh më 2021 ishin gjithsej 21: Prishtina, Podujeva, Drenasi, Gjilani, Gjakova, Kaçaniku, Dragashi, Fushë-Kosova, Istogu, Obiliqi, Klina, Kamenica, Vitia, Prizreni, Juniku, Malisheva, Vushtrria, Mamusha, Rahoveci, Shtime dhe Kllokoti.