13:10 / E Enjte, 01 Tetor 2020 / indeksADMonline

​Krijohen lehtësi për marrjen e dokumenteve identifikuese, për nxënës e studentë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) njofton nxënësit dhe studentët, të cilët kanë nevojë që të pajisen me dokumente identifikimi se Agjencia e Regjistrimit Civil ka krijuar lehtësi në këtë drejtim.

Sipas njoftimit të Agjencisë së Regjistrimit Civil, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19, në pamundësi që qytetarët të pajisen me letërnjoftim të së Kosovës, janë autorizuar zyrat e gjendjes civile, që në rastet kur qytetarët kërkojnë dokumente të gjendjes civile, më saktë ekstrakte nga Regjistri Qendror i Gjendjes Civile, t’u lëshohet ekstrakti me fotografi, apo siç njihet praktika e vjetër e lëshimit të ekstraktit me fotografi të palës, i cili është subjekt i të dhënave.

Meqenëse, Agjencia e Regjistrimit Civil, aktualisht nuk ka mundësi t’i pajisë me kohë qytetarët me letërnjoftime për shkaqe të ndryshme teknike, kjo procedurë, do t’ua lehtësojë qytetarëve realizimin e disa të drejtave (kërkesave) të tyre brenda vendit, thuhet në një komunikatë shtypi.