75 Mall Live Search
13:53 / E Martë, 03 Shkurt 2026 / b l

​Kriza e koalicionit në Mitrovicë të Jugut, takohen Peci dhe Plakolli

Brenda objektit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, po zhvillohet takimi mes kryetarit Faton Peci dhe kryetarit të degës së LDK-së, Gëzim Plakolli. Ky takim u bë pas raportimit të KosovaPress-it për prishje të koalicionit LVV-LDK në Mitrovicë.

Takimi ka nisur rreth orës 11:00 dhe ende është duke vazhduar, raporton KosovaPressi.

E pas përfundimit të këtij takimi, KosovaPressi merr vesh se LDK-ja do të mbledhë sërish kryesinë e degës në Mitrovicë të Jugut.

Mbrëmë është raportuar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të prishë koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës së Jugut.

Sipas burimeve, arsyeja kryesore e prishjes së koalicionit lidhet me emërimin e drejtorëve të rinj në Komunën e Mitrovicës së Jugut nga kryetari Faton Peci, pa dakordim me partnerin e koalicionit.

Votimi kundër koalicionit konkretisht ka ndodhur për shkak se LDK-ja kishte propozuar për drejtor të Kulturës, Gëzim Plakollin, ndërsa kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka përzgjedhur drejtor Gazmend Asllanin.

Marrëveshja për bashkëqeverisje ishte arritur para betimit të Faton Pecit si kryetar i Mitrovicës së Jugut, ndërsa në kuadër të kësaj marrëveshjeje ishte zgjedhur edhe kryesuesi i kuvendit komunal, Safet Kamberi.