Kryesisë së Kuvendit i kërkohet që në mbledhjen e radhës të shfuqizojë benefitet e deputetëve

Pas raportimeve për shpenzimet e deputetëve për derivate, Kryesisë së Kuvendit po i kërkohet që në mbledhjen e radhës të shfuqizojë vendimin për përfitimet e parlamentarëve.
Kompensimi i shpenzimeve të derivateve për të zgjedhurit e popullit po konsiderohet i paarsyeshëm, madje në shpërpushje me punën joefikase të tyre në legjislativ.
Monitoruesi i Kuvendit të Kosovës, Eugen Cakolli nga KDI thotë për KosovaPress se deputetët kompensohen katër herë për punën që e kryejnë. Sipas tij, të njëjtit, krahas pagës bazë, marrin mëditje për pjesëmarrje në seancë dhe komisione parlamentare, kompensohen për derivate, për shujta ushqimore si dhe mbushje telefonike.
Këtë e konsideron jonormale, derisa Kuvendi nuk përmbush agjendën legjislative dhe çalon në mbikëqyrje parlamentare.
“Qysh në mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit, kurdo që e njëjta do të mbahet gjatë javës së ardhshme, të merret vendimi për të shfuqizuar vendimin e vitit 2011 që përcakton këto beneficione. Nëse veçse ka interes që të vazhdohet me subvencionim të tyre të paktën të ketë mekanizma më të rreptë të kontrollit. Ajo çka kemi parë, deputetët edhe mund të vijnë në seancë dhe të nënshkruhen, por pastaj dalin. Ata në këtë formë përveçse marrin mëditje për pjesëmarrje, ata kompensohen edhe për transportin dhe shpenzime të tjera që mund të kenë gjatë ditës”, thotë ai.
Ai e sheh joserioz edhe qëndrimin e Grupit Parlamentar të Lëvizës Vetëvendosje se tani e tutje do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit.
Cakolli thotë se po të kishte pasur interes që këto mjete financiare të kthehen, nuk do të ishin marrë fare.
Ai gjithashtu thotë se duhet adresuar masa disiplinore për të gjithë deputetët që kanë inskenuar vendbanime për të shfrytëzuar të drejtën për kompensimin e derivateve.
Sipas tij, zgjidhja ideale për çështjen e benefiteve të deputetëve është përmes ndryshimit të rregullores.
“Po të shkohej me ndryshim të rregullores dhe futje së dispozitave do të ishte ideale. Por rregullorja e Kuvendit tash e sa vite është në procedura të shqyrtimit dhe ende nuk dihet nëse është arritur dakordim i plotë për të kaluar atë. Pasi nevojiten dy të tretat”, ka thënë ai.
Krahas këtyre, Cakolli thotë se paga bazë e deputetit, por edhe beneficionet e tjera arrijnë dhjetëfishin e pagës mesatare në Kosovë.