16:21 / E Martë, 07 Gusht 2018 / indeksADMonline

​Kryqi i Kuq ndihmon Klinikën Emergjente me ekipe vullnetare

Është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), Klinikës Emergjente dhe Kryqit të Kuq të Kosovës, në lidhje me Pilot Projektin për formimin e ekipeve vullnetare për Ndihmë të Parë nga Kryqi i Kuq i Kosovës, ndihmesë për Klinikën Emergjente.

Nënshkrimin e Memorandumit e bënë drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, Feride Hyseni, kryetare e Kryqit të Kuq të Kosovës dhe Basri Lenjani, drejtor i Shërbimit Emergjent në QKUK.Përmes kumtesës për media bëhet e ditur se marrëveshja parasheh formimin e ekipeve vullnetare të Ndihmës së Parë nga Kryqi i Kuq i Kosovës për Klinikën Emergjente, me qëllim që të ofrojë kujdes themelor për të sëmurë dhe të lënduar nga qasja e parë e pranimit, vendosjen ne barelë, karrocë, dhe bartjen e tyre deri në dhomat e monitorimit, observimit, diagnostikimit dhe trajtimit.

Po ashtu, parashihet të sigurohet bashkëpunimi efektiv mes Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Klinikës Emergjente dhe Kryqit të Kuq të Kosovës, në lidhje me edukimin, trajnimin, certifikimin dhe licencimin e ekipeve vullnetare të Ndihmës së Parë të Kryqit të Kuq të Kosovës, të cilët do të qëndrojmë në shumicën e rasteve një hap para pranimit të shërbimit mjekësor emergjent spitalor.

Në Memorandum, theksohet se ekipet e Kryqit të Kuq, do të asistojnë në përcjelljen e pacientëve së bashku me stafin mjekësor të Klinikës Emergjente. Ekipet Vullnetare të Ndihmës së Parë të Kryqit të Kuq të Kosovës nuk kanë përgjegjësi profesionale gjatë trajtimit të sëmurëve dhe lënduarve, por vetëm asistencë teknike.