75 Mall Live Search
18:29 / E Diele, 17 Gusht 2025 / F.R

​Ksamil, 19 shtetas shpëtohen brenda një jave në det

Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë detare, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare po vazhdon monitorimet dhe kontrollet në Ksamil, ku gjatë kësaj jave janë kontrolluar 525 mjete lundruese, nga të cilat 35 janë bllokuar për shkelje të ndryshme dhe janë shpëtuar 19 shtetas shqiptarë e të huaj në det.

Konkretisht 22 xhet-ski, 5 skafe, 6 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar janë bllokuar. 14 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë gjobitur me nga 100 mijë lekë.

Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me homologët grekë, kanë lokalizuar dhe bllokuar jashtë zonës së perimetrit të sigurisë në plazhin e Pemës së Thatë Ksamil-Sarandë një gomone të vjedhur në zonën Lefkadha – Greqi. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese, teksa Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo shkelje të rregullave në numrin pa pagesë 112.