15:24 / E Martë, 13 Nëntor 2018 / indeksADMonline

​Kur gjykata merret edhe me çështje djathrash!

Shija e një produkti ushqimor nuk mund të konsiderohet si një vepër dhe për pasojë nuk mund të mbrohet nga e drejta e autorit, sipas drejtësisë europiane, që dha këtë vendim sot mbi rastin e një djathi holandez.

”Heksenkaas”, një djath me krem të freskët dhe barëra me aromë fine, u krijua në vitin 2007 nga një tregtar holandez perimesh, që i dha të drejtën e pronësisë intelektuale një kompanie që quhet “Levola”. Por, shumë shpejt do të fillojë një betejë mes kësaj të fundit dhe një kompanie konkurrente, “Smilde”, që prodhon “Witte Wievenkaas” për një zinxhir supermarketesh në Holandë.

”Shija e Heksenkaas jo vetëm që përbën një vepër të mbrojtur nga e drejta e autorit, por për më tepër, produkti i konkurrentit të tij përbën një riprodhim të kësaj vepre”, thotë në një përmbledhje Gjykata e Drejtësisë e BE-së në komunikatën e saj.“Por, një vepër në legjislacionin europian duhet të jetë e identifikueshme me saktësi dhe objektivitet. Dhe kjo nuk arrihet për sa i përket shijes së një produkti ushqimor”, vlerësoi gjykata.“Ndryshe nga një film apo libër, shija përkon kryesisht me ndjesi dhe eksperienca të shijuari që janë subjektive dhe të ndryshme dhe shkenca aktualisht ende nuk mund të japë një mbështetje objektive për të dalluar aromat”, thekson gjykata.