75 Mall Live Search
15:19 / E Enjte, 19 Mars 2020 / indeksADMonline

​Kurti deklarohet serish rreth propozimit të Thaçit për gjendjen e jashtëzakonshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi sot me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott, ka shprehur kundërshtimin e tij për vendosjen eventuale të gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e përhapjes së koronavirusit në vend.

Ai tha se nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme dhe se thirrja e presidentit Hashim Thaçi është e pabazuar dhe e panevojshme, pasi që situata është stabile dhe nën kontroll.

Ai theksoi se të sëmurët me COVID-19 janë në gjendje stabile dhe 6 nga ta janë liruar ta vazhdojnë shërimin në shtëpi në vetizolim.

Nga ana e tij, ambasadori Abbott tha se në këtë situatë të emergjencës së shëndetit publik është esenciale që veprimet politike të institucioneve shtetërore të qeverisen sipas Kushtetutës së Kosovës.

Ai bëri thirrje që të gjitha palët duhet të sigurohen që diskutimet dhe neg ociatat e tyre të zhvillohen në mënyrë që t’i sigurojnë të gjitha komunitetet në Kosovë, pa shkaktuar brengosje të shtuara që ndihen nga të gjithë në këto kohë të vështira.

Diplomati britanik siguroi kryeministrin Kurti për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për pavarësinë dhe stabilitetin në Kosovë.