75 Mall Live Search
17:00 / E Mërkurë, 15 Tetor 2025 / F.R

​Kurti: KE të dorëzojë pyetësorin për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën

Kryeministri në detyrë Albin Kurti gjatë një takimi sot me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ritheksoi nevojën që Komisioni Evropian të dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën.

Kurti në takim me kreun e Komisionit Evropian shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të von der Leyen për rrugëtimin evropian të Kosovës.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së, reformat dhe progresin tonë në sundim të ligjit dhe fushën e sigurisë, përparimin demokratik dhe rritjen ekonomike.

Kryeministri foli edhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën e kaluar, të cilat ishin të lira, demokratike dhe në përputhje me standardet më të mira evropiane. Theksoi rendësinë për një tranzicion të rregullt të pushtetit në komunat ku do të ketë ndërrim të qeverisjes, në respektim të plotë të kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës si dhe përkushtimin e qeverisë për të mbrojtur proceset demokratike nga çdo ndërhyrje e jashtme.

Për të forcuar bashkëpunimin ekonomik në kuadër të iniciativës “Single Market Highway”, Kurti i dorëzoi von der Leyen tri letra zyrtare me interesin e Kosovës për të nisur dialogun strategjik në tre sektorë kyç – bujqësi, teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (TIK), si dhe industri të mbrojtjes, fusha ku Kosova sheh avantazh krahasues dhe potencial të lartë zhvillimi.

Kujtojmë, Kosova ka aplikuar para tri vjetësh për anëtarësim në BE, një hap ky i parë i një procesi që mund të zgjasë me vite. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, asokohe tha seBE-ja e mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.

“Kur bëhet fjalë për aplikimet për anëtarësim, procedurat për paraqitjen e aplikacioneve janë të përcaktuara me Traktatin e BE-së”, tha Pisonero.

Neni 49 i Traktatit të BE-së thotë se çdo vend evropian, i cili respekton vlerat evropiane dhe angazhohet për promovimin e tyre, mund të aplikojë për anëtarësim në BE. Kosova mbetet e fundit në procesin e integrimeve evropiane në Ballkanin Perëndimor.