75 Mall Live Search
20:26 / E Diele, 26 Prill 2020 / indeksADMonline

​Kurti: Kush kërcënon anëtarët e rinj të bordeve, do të përballet me ligjin

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, pas anulimit të konferencës së përbashkët me ministren në detyrë të Ekonomisë, Rozeta Hajdari, e paraparë në oborrin e Qeverisë për shkak të motit të papërshtatshëm, u është adresuar mediave përmes një video-incizimi, ku ka folur për shkarkimet e fundit në bordet e ndërmarrjeve publike.

Qeveria në detyrë e Kosovës së fundit ka shkarkuar bordet e ndërmarrjeve publike Telekom, KEK, Infrakos, Ibër-Lepenc, Ujësjellin rajonal Hirdoregjioni në Prizren.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti ka thënë se në këto ndërmarrje kanë gjetur parregullsi, të cilat do të paraqiten në organet e hetimit.

“Shumë tajkunë në vendin tonë u bënë të tillë në një masë të konsiderueshme duke gërryer depozitën e madhe të pasurisë publike të ndërtuar me mundin e qytetarëve apo të trashëguara nga gjeneratat paraprake. Kështu mijëra kontrata, miliona fonde dhe mungesa e besnikërisë së ish-drejtuesve publikë krijuan kushtet që shërbimet publike të këtyre ndërmarrjeve për çdo sezon të merrnin goditje derisa shumë prej tyre mbetën pa të ardhura dhe me vështirësi për të paguar vetë punëtorët… Këto kanë ngjarë në Telekom, Postë, në KEK, në gati të gjitha ndërmarrjet për ujësjellës e kanalizime, në Trepçë, Infrakos etj.”, ka thënë Kurti.

Kurti ka paralajmëruar të gjithë ata që kërcënojnë bordet e reja të këtyre ndërmarrjeve se do të përballen me ligjin më fuqishëm se asnjëherë më parë.

“Kemi hasur po ashtu në praktika gati banditeske jashtë çdo standardi minimal etik që domosdo duhet të mbizotërojë në institucionet publike. Këto praktika janë shprehur brutalisht këto ditët e fundit, sikurse në rastin e ish-kryeshefit të Telekomit, cili bashkë me persona të paautorizuar ka ndërprerë punën e bordit të përkohshëm. Obstruksioni me metoda të forcës a kërcënimit ndaj drejtuesve të rinj të ndërmarrjes publike është rast për organet e rendit dhe drejtësisë. Le të mos orvatet asnjëri dhe askush në frikësimin e lëre me kërcënimin e anëtarëve të rinj të bordeve ngase do të përballet me forcën e ligjit, si asnjëherë më parë”, ka thënë Kurti.