21:05 / E Premte, 13 Maj 2022 / MSH

​Kurti prezanton reformat për bujqësi në shtetin e Iowa-s

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit në takim nga Sekretari i Bujqësisë të shtetit të Iowa-s, Mike Naig.

Duke vlerësuar partneritetin strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fushat, kryeministri Kurti shprehu përkushtimin për të forcuar këtë partneritet në fushat zhvillimore e sidomos në bujqësi.

Gjatë takimit, Kurti e informoi sekretarin Naig për mundësitë e shumta që ofron Kosova për investitorët në fushën e bujqësisë.

Po ashtu, ai theksoi angazhimin e Qeverisë për avancimin e sektorit të bujqësisë gjatë këtij viti të qeverisjes.

“Në këtë drejtim, Qeveria ka rritur subvencionet për këtë sektor deri në 216%. Kryeministri tha se bujqësia zë vend të rëndësishëm në programin qeverisës dhe prezantoi reformat për bujqësi, që për qëllim kanë ngritjen e prodhimit, cilësisë dhe sigurisë së ushqimit, si dhe ringjalljen e fshatit. Duke biseduar për potencialin që ka Kosova për zhvillimin e bujqësisë dhe mundësitë që i ofron ky sektor për investime, u potencuan edhe mundësitë për shkëmbim të përvojave dhe ekspertizës në këtë fushë.

Në takimin që u zhvillua në kuadër të vizitës së kryeministrit Kurti në ShBA, ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi dhe shefi i Misionit në Konsullatën në Iowa, Artan Duraku.