75 Mall Live Search
16:09 / E Mërkurë, 20 Maj 2020 / indeksADMonline

​Kurti: Prodhimtaria që rrit punësimin është fokusi i programit tonë qeverisës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në fabrikën e prodhimit të këpucëve “Alko” në Podujevë, tha se prodhimtaria që rrit punësimin është në fokus të programit qeverisës.

Ai tha se me këto kompani që kanë mundësi punësimi do të bashkëpunojnë ngushtë.

“Pamë procesin e prodhimit të këpucëve nga punëtoret gra. Kjo lloj industrie do të mund ta rriste prodhimin për shkak se ka shumë punëtorë që kërkojnë punë, por për këtë duhet të ndihmohet veprimtaria me treg, në mënyrë që këto këpucë të shiten. Lëndën e parë kjo kompani e merr nga Italia. Nga Italia i ka të gjitha makineritë, makinat që janë për prerje dhe qepje dhe po ashtu në Shqipëri dhe në Itali bëhet procedimi i mëtutjeshëm në mënyrë që të kemi prodhimin final. Prodhimtaria e cila e rrit punësimin është në fokus të programit tonë qeverisës andaj që me bizneset e tilla, me ndërmarrësit e këtillë, të cilët punësojnë njerëzit tanë natyrisht që do të bashkëpunojmë ngushtë”, tha ai.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Industrisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari tha se Qeveria Kurti është e interesuar ta rrisë prodhimin dhe punësimin.

Si ministre e Ekonomisë, ajo premtoi mundësi financiare për pajisjet që i nevojiten kësaj kompanie që merret me prodhimin e këpucëve.

“Jemi të interesuar të rrisim prodhimin, të rrisim punësimin dhe si ministre e Ekonomisë do të mundohem të gjejë mundësinë financiare për të gjetur pajisjet që i nevojiten kësaj kompanie, meqë na premton se do të rrisë numrin e punëtorëve, respektivisht grave dhe si qeveri Kurti jemi të interesuar edhe për rritjen e numrit të punëtorëve me gjininë femërore dhe unë do të mundohem sa më shpejt që të vijmë te zgjidhja që produkti final i këpucës të jetë nga Kosova e jo të shkojë si produkt gjysmë final, sepse është humbje dhe qëllimi është të rrisim fitim e kompanisë“, tha ministrja Hajdari.

Pronari i fabrikës ‘Alko’, Mentor Latifi derisa ka shprehur mirënjohje për Pakon Emergjente Fiskale, premtoi shtim të vendeve të punës.

“Shpreh mirënjohje për masat e marra për pakon emergjente, jemi të kënaqur për fazën fillestare dhe do të vazhdojmë me punësimin e njerëzve dhe angazhimin e mëtejmë në punë“, tha Latifi.

Gjatë ditës së sotme kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vizituar edhe ndërmarrjen “Trepça” të cilës Qeveria e Kosovës i ka ndarë një subvencion 3.5 milionë euro.