14:46 / E Premte, 27 Maj 2022 / B O

​Kurti: Qytetarët po i paguajnë tatimet se nuk ka korrupsion në qeveri

Kryeministri Albin Kurti, në Forumin e Bizneseve të Diasporës që po mbahet në Prishtinë ka thënë se Qeveria e tij është duke punuar që diaspora të jetë pjesë integruese e zhvillimit ekonomik të Kosovës, me një dialog për të përfaqësuar sa më mirë interesat e tyre në Strategjinë për mërgatën që pritet të finalizohet gjatë këtij viti.

Kryeministri Kurti tha se gjatë vizitës së fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është negociuar marrëveshja me MCC-në në vlerë mbi 200 milionë dollarë për sektorin e energjisë.

Kurti tha se në ShBA ka ftuar investitorët amerikanë që të investojnë në Kosovë, jo për të sakrifikuar, por për të fituar.

“Gjatë vizitës në SHBA kemi negociuar marrëveshjen me MCC për një investim mbi 200 milionë dollarë në sektorin e energjisë. Kemi vizituar kompani teknologjike për të prezantuar potencialet e në Kosovë. Prezantuam arritjet ekonomike në Kosovë dhe potencialet investuese, dhe zhvilluam bashkëbisedime me investitorët dhe me profesionistët e diasporës shqiptare, thirrja jonë ishte që të kontribuohet për Kosovën duke përfituar, meqenëse Kosova është një vend në të cilin mund të kontribuosh duke përfituar. Potencialet dhe interesat e Kosovës i kam prezantuar edhe në Davos. Kosova është shteti më demokratik në Ballkanin perëndimor. Të dytët në rajonin e Evropës juglindore të Azisë Qendrore për sundim të ligjit”, theksoi Kurti.

Shefi i ekzekutivit foli edhe për aktivitetet e rritjes ekonomike në vend gjatë vitit 2021. Ai theksoi se qytetarët po i paguajnë tatimet pasi në qeverinë e tij nuk ka korrupsion.

“Viti 2021 ka qenë vit i zhvillimit ekonomik të Kosovës pasi që kemi pasur rritje ekonomike 10.5 përqind, e cila është rritje dyshifrore, më e madhja në Kosovën e pas luftës. Kemi pasur rritje të eksporteve prej 83.6 përqind në sektorin e produkteve të drurit dhe metaleve, të ushqimeve dhe pijeve. Pastaj rritje të investimeve të huaja direkte për 22 përqind, rritje të të hyrave prej tatimeve pa i rritur tatimet prej 34 përqind. Pra, pa e ndryshuar politikën fiskale janë rritur të hyrat tatimore. Sepse kur njerëzit kanë shpresë, janë optimistë dhe kur shohin që s’ka korrupsion në qeveri, në përgjithësi qytetarët janë të gatshëm që të paguajnë tatime”, tha ai.

Drejtoresha e Misionit të USAID-it për Kosovë, Zeinah Salahi vlerësoi rolin që ka diaspora në Kosovë, ndërsa kërkoi nga bizneset që të mbajnë kontakte me Qeverinë e Kosovës, pasi sipas saj trendët e eksportit janë rritur në vend.

“Roli i juaj mund të jetë transformues për Kosovën, për ta ndihmuar që të katalizohet një ekonomi më e qëndrueshme dhe fitimprurëse. Diaspora ka sjellë një përparësi të madhe për Kosovën dhe Kosova është një përparësi krahasuese dhe mundësi fituese për të gjithë. Këtë e dimë nga përvoja jonë, lidhjen midis bizneseve lokale dhe atyre nga diaspora kanë rezultuar në rritje të mëdha dhe mundësi si për diasporën ashtu edhe për Kosovën”, theksoi Salahi.

Lazim Destani kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, tha se diaspora paraqet kapitalin më të madh jo vetëm ekonomik por edhe social e kulturor.

“Roli i diasporës shqiptare për zhvillimin ekonomik të vendeve tona është kyç dhe i padiskutueshëm. Diaspora paraqet kapitalin më të madh jo vetëm ekonomik por edhe social e kulturor. Krahas aspektit të investimeve, vlerat e diasporës janë shumë dimensioanle”, tha Destani.

Kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Austri, Yll Blakaj kanë arritur progres në bashkëpunimin e bizneseve të diasporës me ato të Kosovës.

“Nga anëtarësia jonë e përgjithshme e cila është në numër të madh, dhe rrjetëzimi po vazhdon me të gjitha vendet e Evropës, aty ku jetojnë dhe po funksionon si është më së miri, por edhe lidhjet e bizneseve dhe sigurimi i tregut në Evropë po vazhdon për prodhuesit nga Kosova”, tha ai.

Në këtë forum kanë marrë pjesë shumë biznesmenë nga diaspora shqiptare për të promovuar kapitalin e tyre për tregun e Kosovës. Ndërkohë në kuadër të këtij forumi dyditor të shtunën do të realizohen disa vizita nëpër fabrika të ndryshme të vendit.