12:38 / E Martë, 03 Mars 2020 / indeksADMonline

​Kurti: Thaçi do duhej të raportonte në Kuvend para se të shkonte në ShBA

Kryeministri Albin Kurti nuk ka qenë në dijeni për takimin e presidentit Hashim Thaçi me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq në Uashington.

Shefi i ekzekutivit tha se fakti që dy presidentët nuk kanë një marrëveshje edhe pas një takimi të tillë është dështimi më i dobishëm për Kosovën.

Kurti mes tjerash tha se presidenti Thaçi para se të shkonte në SHBA do të duhej të raportonte më Kuvend, e të zhvillonte takime me të për unifikim të politikës së jashtme e jo pasi i ka përfunduar ato.

“Mora vesh se po kthehet nga SHBA, duket pa një deklarim të përbashkët me presidentin e Serbisë, e lëre më pa marrëveshje. Fakti që nuk kanë një marrëveshje presidenti i Kosovës me presidentin e Serbisë besoj që është një dështim i dobishëm për Republikën e Kosovës”, u shpreh Kurti.

Për këtë arsye, i pari i qeverisë kërkoi unifikim në politikën e jashtme.

“Unë nuk kam qenë në dijeni për këtë takim, vetëm jam në dijeni që është interesuar të vijë në Kuvendin e Republikës. Besoj që para se të shkojë është dashur të vijë në Kuvendin e Republikës. Para se të shkojë është dashur të vijë te kryeministri i ri në mënyrë që të dakordohemi për politikën e jashtme. Ne duhet të kemi një politikë të unifikuar të jashtme si Kosovë. Është gabim që nuk ka ardhur në institucionet tona para se të provojë dakordime me Serbinë”, tha ai.

Derisa tha se kërkesës së tyre për largim të tarifës në lëndën e parë për produktet e Serbisë, kjo e fundit po i përgjigjet me intensifikim të fushatës kundër njohjeve të Kosovës.

“Ne treguam vullnetin tonë të mirë për një heqje të përsëritshme të tarifës 100 për qind, përkatësisht për lëndët e para që importohen nga Serbi. Mirëpo, qartazi këtij gjesti vullneti të mirë po i përgjigjen me intensifikim të fushatës kundër njohjeve të Kosovës”, tha ai.

Këto komente kryeministri Kurti i bëri pasi mori pjesë në punëtorinë që Oda e Afarizmit ka organizuar sot për bashkëpunimin rajonal tregtar.