75 Mall Live Search
19:02 / E Martë, 24 Mars 2026 / KV

​Kush është çlirimtari që jeton me 18 plagë në trup?

Varrin ia hapën, edhe pse ende merrte frymë.

Por askush nuk besonte se ushtari Bujar Haradinaj do t’i mbijetonte 18 plagëve që mori në trup gjatë luftës për lirinë e Kosovës.

Gjatë rrëfimit të tij të jashtëzakonshëm për KosovaPress, luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kujton plagët e rënda që mori gjatë luftimeve në Zonën Operative të Dukagjinit.

Më 6 qershor 1999, ai kishte marrë 12 plagë njëherësh gjatë një ofensive të madhe.

Sipas tij, situata kishte qenë aq kritike sa ishin hapur tri varre, njëri prej tyre edhe për të.

“Kam marrë 12 plagë dhe ma hapën varrin, edhe pse isha ende gjallë”, rrëfen Haradinaj.

Ai kujton se atë ditë kishte humbur edhe dy bashkëluftëtarë, Burim Mustafa dhe Shpend Mala, vetëm gjashtë ditë para përfundimit të luftës.

“Kam qenë në gjendje shumë të rëndë. Ishte një ofensivë e madhe dhe atë ditë më vdiqën dy shokë. U hapën tri varre, njëri edhe për mua. Madje ishte thënë: ‘Hapeni edhe një varr, lëreni gati, se nuk dihet a po shpëton Bujari’”, tregoi ai.

Një vit më herët, një snajper ia kishte përshkuar gojën tejpërtej.

“Gjatë luftës në Zonën Operative të Dukagjinit kam pasur disa plagë të rënda. Njëra prej tyre ishte kur snajperi më përshkoi gojën tejpërtej. Mjekët kanë thënë se ishte mrekulli që plumbi kaloi pa dëmtuar pjesë jetike të nofullës”, tha ai.

Megjithatë, pavarësisht dhimbjeve të shumta, Haradinaj nuk është penduar për kontributin e tij në luftë.

“Të gjitha plagët i mbaj në trup dhe i mbaj me krenari. E di pse i kam marrë dhe nuk jam penduar për asgjë që kam bërë për vendin tim”, u shpreh ai.

Ai rrëfen edhe një moment të vështirë, kur komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, u plagos rëndë.

“Rreth orës 13:00, komandanti u plagos rëndë në dorën e djathtë dhe në kofshë. Nuk kishim as ndihmë të parë. Pas disa orësh, nga gjakderdhja filloi të humbte vetëdijen. Plagët ia mbuluam me peshqirë dhe madje edhe me djathë që e gjetëm në një shtëpi aty pranë”, tregoi ai.

Në përvjetorin e 28-të të Epopesë së Dukagjinit, Haradinaj kujton edhe shënjestrimin që forcat serbe i kishin bërë familjes së tij.

“Pas rënies së familjes Jashari, Serbia e kishte cak familjen Haradinaj. Ne ishim të përgatitur dhe e dinim se lufta do të vinte. Ishim të organizuar dhe të armatosur, duke pritur përballjen që erdhi shumë shpejt”, tha ai.

Në këto luftime ranë dëshmorë Him Haradinaj, si dhe Gazmend e Agron Mehmetaj.