12:39 / E Martë, 19 Maj 2020 / indeksADMonline

​Kuvendi ta funksionalizon KPMShCK-në, rreth 900 lëndë të pazgjidhura

Për mosemërimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës (KPMShCK) dhe ndarjen e pagës shtesë në shërbimin publik me rastin e pandemisë̈, Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës(SShCK) në konferencën për media ngritën shqetësimin e tyre për mosfunksionalizimin e këtij Këshilli nga e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i kësaj sindikate Mursel Zymberi tha se pikërisht nga Kuvendi i Kosovës është duke u shkel Kushtetuta e Kosovës për mos funksionalizimin e KPMShCK-së.

Zymberi tha se numri total i lëndëve të pazgjidhura janë rreth 890, të natyrave të ndryshme, kryesisht rreth konkurseve.

Ai ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës që me urgjencë të bëhet emërimi i anëtarëve të ri dhe kështu të bëhet funksionalizimi i Këshillit, sepse sipas tij për mos funksionalizim, kuvendi po lejon shkeljen e ligjeve dhe Kushtetutës në vend.

“Unë kam kërkuar dhe kërkoj nga kryetarja e kuvendit që në seancën e parë të kuvendit, me çdo kusht të ketë parasysh funksionalizmin dhe emërimin e anëtarëve të ri të këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës. Funksionalizmin e këtij Këshilli, sepse me këtë mos funksionalizim, Kuvendi i Kosovës po e legalizon shkeljen e të drejtave të punëtorëve, e cila është e paraparë në nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Nëse vazhdon kjo situatë, atëherë cila do të jetë cilësia e veprimeve ose respektimit të ligjit brenda vet institucioneve të shtetit. Si duket edhe këtu politika po e zgjatë dorën në atë masë dhe nuk I intereson se cilat janë ato shkelje dhe sa është dëmi, por vetëm interesat e caktuara të shkojnë njerëzit e përshtatshëm. Prandaj, si sindikatë bëjmë apelin që Kuvendi të merret me urgjencë dhe të konsolidohet Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës në Shërbimin Civil të Kosovës”, theksoi Zymberi.

Kreu i kësaj sindikate ngriti edhe çështjen e disa punëtorëve të shërbimit civil dhe social, sipas të cilit që kanë dhënë kontribut të veçantë në kohën e pandemisë, e të cilët nuk janë përfshirë në pakon emergjente fiskale, për çka Zymberi kërkoi që edhe kjo kategori të përfitojë nga 300 euro për muaj.

“Kam kërkesë të vazhdueshme nga shërbimet sociale të cilat kanë qenë konstant gjatë gjithë kohës, me kujdesi dhe orare të zgjatur, ndërsa vendimi i Qeverisë nuk I ka paraparë rreth 400 punëtorë që kanë punuar në vazhdimësi dhe s’kanë marrë(300 euro nga pakoja), ndërsa shërbimet tjera kanë marrë pagesat komplet, madje edhe ata që kanë qenë në pushime. Këtë shqetësim ia kamë përcjellë edhe ministrit të Financave, Besnik Bislimi, andaj këtë shqetësim po e bëjë publik edhe para mediave se shërbyesit civil dhe punëtorët social janë tejet të indinjuar”, deklaron ai.

Kujtojmë se paga shtesë prej 300 euro me pakon emergjente fiskale, janë përfshirë mjekët e infermierët, policia dhe zjarrfikësit.