20:11 / E Shtunë, 24 Mars 2018 / indeksADMonline

​LDK në Obiliq shënoi 28 vjetorin e themelimit

Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka shënuar 28 vjetorin e themelit të saj në Obiliq.

Me këtë rast kryetari i degës, Mehmet Krasniqi falënderoi të gjithë ata që gjatë gjithë këtyre viteve pa frikë e me shumë guxim punuan për zhvillimin e vendit, ndërsa Krasniqi kujtoi të gjithë ata që vepruan dhe punuan për LDK-në dhe Komunën e Obiliqit.

“Obiliqi do të njoh dhe respektoj vazhdimisht kontributin e armatës së tërë, të aktivistëve të LDK-së deri më sot, të atyre që u sakrifikuan dhe nuk janë më me në dhe të gjithë atyre që sot janë në front të betejës për realizimin e ëndrrës së gjeneratave falë të cilëve ne kemi një trashëgimi të mirëfilltë politike dhe historike siç është Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Krasniqi.

Në emër të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe kryesisë së LDK-së, qytetarëve dhe veprimtarëve të Obiliqit iu drejtua Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, i cili tha se Lidhja Demokratike e Kosovës është subjekti i parë politik në vend dhe këtë e dëshmuan zgjedhjet e tetorit, ndërsa në Kuvendin e Kosovës LDK-ja sot është me Grupin më të madh Parlamentar.

“Ishte angazhimi i LDK-së që të votohej marrëveshja për shënjimin e pikës kufitare me Malin e Zi, marrëveshje kjo e njëjta me atë të para tre vitesh për ta mundësuar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përkrahur dhe do të vazhdojë ta përkrah formimin e Ushtrisë së Kosovës por gjithmonë në koordinim me miqtë tonë ndërkombëtarë”, tha ndër të tjerash Beqiri.

Beqiri falënderoi të gjithë veprimtarët e LDK-së që i kontribuuan shumë kohërave dhe të gjithë aktivistët që sot po angazhohen që shpejt ta kthejnë Lidhjen Demokratike të Kosovës në qeverisje.

“Do të punojmë bashkërisht me shumë mund dhe angazhim që ta kthejmë Obiliqin dhe LDK-ja të udhëheq edhe në komunat tjera”, tha Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri.

Temat: