20:04 / E Martë, 17 Shtator 2019 / indeksADMonline

​Limaj për kundërkandidatët: S’kanë haber për reforma në drejtësi

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj në takimin me strukturat dhe simpatizantë të Nismës në Lipjan, tha se qytetarët e kësaj komune kanë një milionë arsye me dalë me votua këtë parti, sepse ka kandidatët më të mirë për deputetë.

Limaj tha se një ndër prioritetet në qeverisjen e tij do të jetë bujqësia dhe fuqizimi i saj, por shtoi se ka nevojë për të stimuluar edhe natalitetin, i cili premtoi se do të krijojë pako sociale për ndarjen e shtesave të fëmijëve.

Limaj pati edhe një porosi për reformat në drejtësi.

 “Ju kisha fol edhe për reforma në drejtësi, por me thënë të drejtën është goxha shumë profesionale dhe nëse unë foli për reformë më drejtësi, por kur po i dëgjoj të tjerët duke fol për reformë në drejtësi, Zot runa. Ata ‘haber’ s’kanë në drejtësi. Nëse dikujt i është bërë e pa drejtë, më është bërë mua. E kush kishte me lufta më shumë se sa ai njeri që me vite i është bërë e pa drejtë”, tha Limaj.

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi theksoi se kjo parti pa asnjë dilemë e ka kandidatin më të mirë për kryeministër, Fatmir Limajn, i cili siç tha ai i ka fituar betejat e shumta si në luftë dhe në paqe. Një ndër betejat e fituara, sipas tij, është edhe nxjerrja e Kosovës nga balta, si ish-ministër i Transportit.

 “Ju më 6 tetor do të votoni për fitoren e madhe të koalicionit tonë, sepse ky koalicion ka hyrë në garë për t’i fituar zgjedhjet”, tha Sherifi.

Kryetari degës Nismës Socialdemokrate në Lipjan njëherësh edhe kandidat për deputet, Heset Sahiti ka kërkuar nga simpatizantët e kësaj partie angazhim deri në ditën e zgjedhjeve, siç tha për të fituar partia që është e përkushtuar për demokracinë parlamentare dhe qeverisje ku sundon shteti ligjor.

 “Ne si Nisma Socialdemokrate duhet të bëhemi bashkë që të punojmë dhe garantojmë që çdo burrë, grua dhe fëmijë në vendin tonë, të ketë të drejtën themelore sociale e ekonomike”, deklaroi Sahiti.

Kandidati për deputet njëherësh afarist, Bekim Brestovci shprehu besimin se kandidati për kryeministër Fatmir Limaj do të jetë fitues i zgjedhjeve. Brestovici i cili ka një veprimtari 25 vjeçare në diasporë, premtoi se rikthimi i tij në Lipjan është për t’i zhvilluar projektet e shumta për qytetarët e këtij qyteti.

Kandidatë për deputetë nga dega e Lipjanit, janë Heset Sahiti, Bekim Brestovci dhe Valentina Shala-Bajrami.