12:52 / E Enjte, 09 Korrik 2020 / indeksADMonline

​Lituania ndalon transmetimin e zërit të propagandës së Putinit, në Russia Today

Sipas mediave ruse, “Komisioni për radiotelevizion” i Lituanisë, i cili është në vartësi të Parlamentit lituanez, ka marrë vendimin për ndalimin e transmetimit të kanaleve televizive të Russia Today, në territorin e Lituanisë.

Grupit Russia Today, në Lituani, i është ndaluar transmetimi i pesë kanaleve televizive, RT, RT HD, RT Spanja, RT Documentary dhe RT Documentary HD, transmeton KosovaPress.

Rregullatori lituanez e arsyetoi ndalimin e transmetimit të kanaleve të RT-së, me faktin se Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj Dimitry Kisyovit. Edhe pse kanalet e RT-së menaxhohen nga Margarita Simonyani, mbrapa RT-së qëndron Dimitry Kisyov.

Para Lituanisë, ndalimin e transmetimit të RT-së e kishte bërë Letonia, ndërsa në proces të ndalimit është edhe Estonia, çka do të çojë në ndalimin e transmetimit të RT-së në të gjitha shtetet baltike.

Siç shihet shtetet baltike e kanë parë rrezikun që u vjen nga mediat shtetërore ruse, që janë pjesë e propagandës shtetërore ruse, andaj edhe kanë vendosur të ndalojnë transmetimin në territorin e tyre.

Propaganda ruse përmes RT-së dhe Sputnik është evidente edhe në rajonin tonë. Rritje të agresivitetit të propagandës ruse përmes RT-së dhe Sputnik-ut, në shtete të Ballkanit ka pasur posaçërisht gjatë fushatave zgjedhore, tentativave për grushtet në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, referendumin për ndryshimin e emrit të Maqedonisë së Veriut, procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi, si edhe rasti i fundit para dy ditëve, protestat antiVuçiq në Beograd.