75 Mall Live Search
14:00 / E Shtunë, 06 Dhjetor 2025 / F.R

​LVV synon të qeverisë e vetme, Haxhiu: S’duhet të varemi nga votat e ish-opozitës

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, thotë se synojnë të qeverisin të vetëm pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit. Ajo thekson se koalicionet paszgjedhore me partitë e ish-opozitës u dëshmua se janë të vështira, siç deklaron “për shkak të praktikave të kaluara për pazaret politike”. Haxhiu nënvizon se është kundër çfarëdo koalicioni paszgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës, derisa kur pyetet për Lidhjen Demokratike të Kosovës, thotë se është herët të flitet dhe duhet të priten rezultatet zgjedhore.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e kaluara ka marrë 42 për qind. Megjithatë, e njëjta në dy tentime ka dështuar të formojë qeverinë e re. Si pasojë e kësaj, vendi ka shkuar në zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor.

Haxhiu në një intervistë për KosovaPress, thotë se në situata kur LVV ka nevojë për një numër të vogël votash për formimin e qeverisë, partitë e ish-opozitës po i “rrisin pazaret”, duke kërkuar më shumë sesa u ka dhënë vota e qytetarëve. Për këtë arsye, ajo thekson se LVV po synon mbështetje të gjerë në mënyrë që të mos varet nga askush.

Megjithatë, ajo shton se kjo nuk do të thotë se edhe pse kanë shumicën, dikush nëse ka interes të mos u bashkohet.

“Mendoj se situata është tepër e qartë. Jemi dy taborë tashmë dhe askund s’ka qenë më e qartë se tani. Në njërën anë Lëvizja Vetëvendosje me partnerët dhe në anën tjetër subjektet e tjera. Ende pa u përfunduar procesi zgjedhor këta thonë se nuk do të bëjnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Është e qartë se këta nuk e duan Vetëvendosjen në qeverisje dhe nuk e duan Albin Kurtin kryeministër… Qytetarët e kanë parë përpjekjen tonë për ta formuar qeverinë. Prandaj unë jam optimiste për rezultatin e 28 dhjetorit. Për bindjen tonë, në qoftë se ne po varemi nga votat e subjekteve të tjera, ata po i rrisin pazaret. Në momentin kur neve na duhen një apo dy vota, ata po i ngrisin pazaret në shpërputhje me fuqinë politike që kanë. Në këtë drejtim kjo qasje duhet të përfundojë kur subjektet kërkojnë më shumë sesa iu ka dhënë populli”, thotë ajo.

Ajo shton se koalicionet me ish-opozitën janë të vështira për shkak, të mënyrës së funksionimit të tyre. Ajo përjashton mundësinë e bashkëpunimit me PDK-në, duke përmendur ndikimin e Sami Lushtakut në këtë subjekt.

“Është herët të flasim pasi tani jemi të fokusuar të kemi mbështetjen e madhe nga ana e qytetarëve. Për mua është e rëndësishme me kuptuar se është tepër e vështirë me pas koalicion qeverisës me ata (ish-opozitën) jo pse ka munguar vullneti ynë politik dhe pse duam qeverisjen vet. Problemi është se këta janë mësuar sikurse të kaluarën që të bëhen koalicionet me pazare, por ne kemi thënë se këto forma nuk mundemi me funksionuar… Fokusi ynë në këtë moment duhet të vendoset te mbështetja nga ana e qytetarëve që ne mos të varemi nga këto subjekte. Kjo nuk do të thotë se edhe pse kemi shumicën, dikush nëse ka interes mos të na bashkohet… Me PDK-në që kontrollohet nga Sami Lushtaku, jo. Unë e dëgjova me vëmendje kryetarin e sapozgjedhur të PDK-së, Bedri Hamzën, ku asnjë fjalë nuk e tha për Sami Lushtakun, përkundrazi e lartësoi. Është e qartë se aty më shumë pyetet Sami Lushtaku sesa Bedri Hamza”, shton ajo.

Në lidhje me rrezikun që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje kur skadon mandati i presidentes Osmani në mars të vitit 2026, Haxhiu thotë se një gjë e tillë është e mundshme, pasi, sipas saj, është e vështirë të zgjidhet presidenti me 80 vota.

“Qëndrimet për presidenten i kanë dhënë. Neve na duhet të kemi 80 vota në kuti, pasi siç e dini është votimi i fshehtë. Nëse ne nuk arritëm t’i kemi 61 për kryeministrin, është pak e vështirë e besueshme se mund të japim mbështetje për presidenten nëse do të kandidohet ose ndonjë figurë tjetër. Ne nuk jemi të interesuar që Kosova të shkojë kaq shpesh në zgjedhje. Por nëse s’ka konsensus për emrin e presidentit, Kushtetuta na obligon që të shkojmë në zgjedhje”, shton ajo.

Ajo thotë se shumë shpejt do ta publikojnë programin qeverisës për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Haxhiu bën të ditur se programi do të jetë i ngjashëm me zgjedhjet e kaluara të 9 shkurtit, por, siç tha, me veprime shtesë.

Duke iu kundërpërgjigjur akuzave për korrupsion, Haxhiu thotë se qytetarët e kanë të qartë se qeveria Kurti nuk e keqpërdor buxhetin e shtetit.

Ajo përmend edhe rastin e rezervave shtetërore ku akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ministrja në detyrë Rozeta Hajdari.

Sipas saj, aktakuza e ngritur ndaj saj do të rrëzohet.

“Qytetarët e kanë të qartë edhe përkundër tendencave për të thënë se qeveria Kurti është e korruptuar sikur qeveritë e tjera. Qëllimi i opozitës është ky që qytetarët të mendojnë se qeveria Kurti është njësoj e korruptuar. Unë jam e bindur se qytetarët e dinë se qeveria Kurti nuk e keqpërdor buxhetin e shtetit. As Rozeta nuk e ka keqpërdorur buxhetin e shtetit. Unë kam qenë dëshmitare por edhe të tjerët të përpjekjeve të ministres Hajdari për të siguruar rezervat që na kishin lënë bosh për qytetarët… Unë nuk mund të jap më shumë informacione, se ne kemi nënshkruar deklarata të konfidencialitetit. Por ajo që mund të them është se ministrja Hajdari nuk është pasuruar asnjë cent jashtëligjshëm… Tashmë është një aktakuzë e ngritur dhe jam e bindur për shkak të informacioneve që i kam se do të rrëzohet në instanca të tjera”, potencon ajo.

Në anën tjetër, Haxhiu thekson se institucionet e vendit do të ndërmarrin veprime ligjore sa herë që ka tendencë nga kryetarët e sapozgjedhur të Listës Serbe në katër komunat veriore të largojnë simbolet shtetërore të vendit.

“Kosova tashmë i ka institucionet e veta, policinë, prokurorinë, gjykatat duke i fuqizuar këto institucione. Nuk do të kenë të lehtë sikurse e kanë pasur në të kaluarën… Ata janë të obliguar që të njohin Republikën e Kosovës dhe të mbajnë simbolet e Republikës së Kosovës në objektet që i detyron edhe ligji. Natyrisht do të ketë veprime në përputhje me ligjin sa herë që ka tendencë për të shkelur legjislacionin në fuqi. Këtu presim mbështetje nga partnerët tanë”, përfundon ajo.