75 Mall Live Search
15:27 / E Shtunë, 06 Shtator 2025 / F.R

​Mbledhja e KQZ-së nis me debate nga Lista Serbe

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka nisur mbledhjen e sotme me debate të nxitura nga Lista Serbe në lidhje me pikat e rendit të ditës.

Anëtarja e kësaj partie në KQZ, Gordana Llaban, u ankua për marrjen me vonesë të materialit duke kërkuar shtyrjen e takimit ose mbajtjen e takimit pa praninë e saj.

“Pesë minuta para takimit ma keni dhënë tabelën. Kjo është arsyeja pse nuk kam ardhur në takim. Nuk dua të kem konflikt me askënd”, ka thënë ajo.

Anëtari i KQZ-së nga LDK-ja Sami Hamiti ka hedhur poshtë pretendimet e anëtares së Listës Serbe duke thënë se puna e KQZ-së është transparente.

“Qetësohu, s’ki nevojë të bëhesh nervoz.. (S’po bëhem nervoz- Llaban). Asnjë dilemë nuk e kemi atë punë, e kemi vendosur sipas ligjit për zgjedhje…S’kini dashur të merrni pjesë”, ka thënë Hamiti.

Në debat u përfshi anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Alban Krasniqi duke thënë se e gjithë kjo është pasojë e vendimit të fundit Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme ndaj konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Kushtetuesja atje del dhe e ndal një parlament të tërë për përket. Kjo është pasojat që jemi duke i vuajtur. E përmendi fjalën përleshje (sukob)…Edhe në mbledhjen e shkurtit që ju i referoheni ju jeni përfaqësues si një subjekt që është i përfshirë në aktivitete terroriste…Ju edhe në shkurt, por edhe tash jeni duke përfaqësuar për t’i shkelur të gjitha subjektet e tjera të komunitetit serb…Arsyeja e vetme pse kërkohet numër më të madh që këta (Lista Serbe) ta kenë është për të vazhduar terrorin që ia bëjnë komunitetit të tyre”, ka thënë Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kujtojmë, më 21 gusht, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi ishin të zëshëm kundër certifikimit të Listës Serbe, duke argumentuar se ka eksponentë që janë pjesë e strukturave paralele serbe dhe e cilësuan këtë parti si dorë e zgjatur e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në Kosovë.

PZAP ndërkohë rrëzoi vendimin e KQZ-së, duke ia mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 12 tetorit.