20:45 / E Mërkurë, 09 Gusht 2023 / MSH

​Mehaj: Çdo hap drejt forcimit të ushtrisë e kemi hedhur me mbështetjen e ShBA-ve

Ish-ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj e ka shoqëruar pasardhësin e tij në takimin me atasheun amerikan, derisa ky i fundit kishte shkruar për t’i uruar Ejup Maqedoncit detyrën e re si ministër.

Mehaj ka shkruar se në këtë takim koloneli amerikan, Mosley, ka shprehur gatishmërinë e tij për vazhdim të bashkëpunimit dhe raporteve sipas tij të shkëlqyera.

“Për ne partner strategjik dhe i përhershëm do të mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës me mbështetjen e të cilëve kemi hedhur çdo hap drejt forcimit të ushtrisë dhe shtetit tonë”, ka shkruar Mehaj.

Mehaj, dorëheqja e të cilit u pranua të martën nga kryeministri Albin Kurti, ka bërë sot homazhe te varri i veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi.

“Vizioni i bacës Adem do të jetë ai që na udhëheqë neve në punën dhe angazhimet tona”, ka thënë Mehaj.

Para se të lë Ministrinë e Mbrojtjes, ai ka zhvilluar takim lamtumirës me pasardhësin e tij, Ejup Maqeodnci, si dhe udhëheqësit e drejtorive në këtë institucion.