12:12 / E Martë, 27 Tetor 2020 / OSH

​Mehmeti dhe delegacioni i BQK-së përfunduan pjesëmarrjen në takimet vjetore virtuale të FMN-së dhe BB-së

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka qenë pjesë e takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, që këtë vit u organizuan nga distanca për shkak të pandemisë Covid-19.

Gjatë këtyre takimeve, të cilat u zhvilluan nga 15 deri më 22 tetor 2020, guvernatori Mehmeti mori pjesë edhe në takimin e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e së cilës është edhe Kosova.

Gjithashtu, Mehmeti ka realizuar një takim edhe me zëvendëspresidenten e Bankës Botërore, Anna Bjerde dhe ekipin e saj, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, si edhe kërkesat për asistencë teknike.

Guvernatori Mehmeti me këtë rast njoftoi zëvendëspresidenten e Bankës Botërore, lidhur me sistemin financiar në vend dhe masat e marra nga BQK-js gjatë kohës së pandemisë.

Gjatë këtyre takimeve virtuale, Mehmeti dhe përfaqësuesit e BQK-së morën pjesë në takimin e drejtoreshës menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilën e zhvilloi me ministrat dhe guvernatorët e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore.

Në këtë takim përveç prezantimit të perspektivës ekonomike evropiane, u diskutua edhe për sfidat dhe politikat që ndërlidhen me përgjigjen ndaj efekteve të Covidit-19.

Përfaqësuesit e BQK-së morën pjesë edhe në takimin plenar të Komitetit Monetar Financiar Ndërkombëtar të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku u diskutuan tema të ndryshme që kanë të bëjnë me adresimin e pandemisë, promovimin e rimëkëmbjes së qëndrueshme gjithëpërfshirëse dhe ringjalljen e bashkëpunimit global.