11:22 / E Martë, 16 Tetor 2018 / indeksADMonline

​Mësuesit kërkojnë që fëmijët të mos konsumojnë pije energjike

Dita Botërore e Ushqimit sot po shënohet edhe në Kosovë. Nxënësit e shkollës fillore të mesme të ulët, “Naim Frashëri” në kryeqytet kanë përgatitur ushqime të shtëpisë të cilat i kanë shitur, dhe këto mjete do investojnë në inventarin e shkollës.

Këtë aktivitet nxënësit në bashkëpunim me mësimdhënësit e kanë organizuar me qëllim të vetëdijesimit për mënyrën e të ushqyerit shëndetshëm.Ata në oborrin e shkollës kishin vendosur tavolina ku i kishin vendosur një laramani ushqimesh të përgatitura nga ta, çmimet e të cilat ishin shumë të ulëta. Drejtoresha e shkollës “Naim Frashëri”, Remzije Berisha  tha se  qëllimi i këtij aktiviteti është që nxënësit të vetëdijesohen për t’u ushqyer më shëndetshëm.

Ajo ka shprehur shqetësim për konsumimin e pijeve energjike nga nxënësit, për çka kërkoi kujdes më të madh nga prindërit.

Arsimtarja e lëndës së kimisë  Samile Tafarshiku tha se qëllimi i këtij aktiviteti është që fëmijët të vetëdijesohen për t’u ushqyer shëndetshëm, pasi kjo mënyrë e të ushqyerit ndikon edhe në procesin mësimor.

Nxënësja e kësaj shkolle Blerta Mehmeti e cila kishte përgatitur ëmbëlsira tha se mënyra  e të ushqyeriut ndikon për të pasur një jetë më të shëndetshme.

Sipas saj aktivitete që sensibilizojnë shoqërinë për mënyrën e të ushqyerit duhet të organizohen më shpesh. Valton Bytyqi i cili me ndihmën e nënës kishte përgatitur kifle thotë se të ushqyerit shëndetshëm ndikon edhe në mësime.

Shkolla e mesme e ulët, “Naim Frashëri” në Prishtinë përveç shitjes së ushqimeve të përgatitura nga nxënësit me qëllim të vetëdijesimit për ushqim kanë përgatitur edhe një broshurë me moton “Ushqimi i Shëndetshëm, jetë e shëndetshme”.

Ndryshe, Dita e Botërore e Ushqimit  organizohet që prej 1981 dhe synon të sensibilizojë politikë bërësit mbi rëndësinë e ushqimit dhe rolin e tij në shëndetin dhe mirëqenien e individit dhe zhvillimin e mbarë kombeve.