75 Mall Live Search
12:56 / E Martë, 25 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

​Milani kërkon drejtësi nga UEFA përmes CAS

Klubi kuqezi edhe njëherë do të merret me Gjykatën Sportive në Lozanë.

Lufta mes Milanit dhe UEFA-s, nuk ka përfunduar ende. Kuqezinjtë kanë vendosur të apelojnë sërish vendimin e UEFA-së në komisionin e arbitrazhit sportiv në Lozanë, KAS, shkruan KosovaPress.

Pasi fitoi betejën e parë me UEFA-n atë për të marrë pjesë në Ligën e Evropës gjatë këtij sezoni, me UEFA-n që i kishte përjashtuar kuqezinjtë, klubi milanez ka besim se mund t’ia dalë sërish.

Pak ditë më parë institucionet përkatëse të UEFA-s që analizojnë fair play-in financiar vendosën ta gjobisin Milanin me 12 milionë euro për mos respektim të fair play-it gjatë sezoneve 2014-2017.

Por nuk mbaron me kaq pasi Milani në dy sezonet e ardhshme që do të kualifikohet në kompeticionet evropiane, duhet të regjistrojë në listë vetëm 21 lojtarë, duke pasur një numër të kufizuar futbollistësh.

Problemi tjetër ekziston te fakti se në rast se Milani nuk barazon bilancin përsa i përket shitjeve dhe blerjeve deri në fund të sezonit 2020-2021, rrezikon të përjashtohet nga kompeticionet evropiane pasi ky është rregulli i UEFA-s në lidhje me fair play, për klubet që kanë nënshkruar një marrëveshje me UEFA-në.