Mjeku britanik akuzohet për 45 vepra të rënda kundër 38 pacientëve
Ish-mjeku Nathaniel Spencer, është akuzuar për një sërë veprash të rënda seksuale kundër deri në 38 pacientëve nën kujdesin e tij.
Veprat penale ndodhën midis viteve 2017 dhe 2021 në Spitalin Universitar Royal Stoke në Stoke-on-Trent dhe Spitalin Russells Hall në Dudley, raporton Sky News.
Spencer (38) përballet me një total prej 45 akuzash, duke përfshirë 15 akuza për sulm seksual, 17 akuza për sulm penetrues, nëntë akuza për sulm seksual ndaj një fëmije nën 13 vjeç, tri akuza për sulm penetrues ndaj një fëmije nën 13 vjeç dhe një akuzë për tentativë sulmi penetrues.
Ben Samples, zëvendës kryeprokuror në Shërbimin e Prokurorisë së Kurorës West Midlands, tha në një deklaratë, se Nathaniel Spencer akuzohet për një sërë veprash penale të rënda seksuale të kryera kundër pacientëve ndërsa ai punonte si mjek.
“Prokurorët tanë kanë punuar gjatë dhe shumë për të mbështetur hetimin e detajuar dhe kompleks të policisë, duke shqyrtuar me kujdes provat në dispozicion për të përcaktuar se kishte prova të mjaftueshme për ta çuar çështjen në gjyq”, tha ai.
Spencer, i cili jeton në Birmingham, pritet të paraqitet në Qendrën e Drejtësisë North Staffordshire më 20 janar 2026.

