75 Mall Live Search
16:33 / E Hënë, 20 Tetor 2025 / F.R

​MPB: 11 persona të arrestuar për incidente gjatë ditës së zgjedhjeve

Gjithsej 11 persona janë privuar nga liria gjatë ditës së djeshme për shkak të incidenteve dhe shkeljeve të rregullave zgjedhore. Ministria e Brendshme thotë se ata janë ndaluar sepse disa prej tyre kanë refuzuar të identifikohen, por ka pasur edhe ndalime për fotografim të paligjshëm të fletëvotimeve.

“11 persona janë privuar nga liria (dy persona në Prilep për me ryshfet, tre persona në Shkup-Bit Pazar pasi refuzuan të identifikohen dhe për një fletë votimi të grisur, nga një person në Manastir dhe Koçan në lidhje me veprën penale “shkelje e fshehtësisë së votimit” dhe katër persona në Ohër në lidhje me veprën penale “fotografim i fletëvotimit” dhe gjetje e listës së votuesve dhe të hollave”, thonë nga Ministria e Brendshme.

Katër persona më vonë janë liruar, ndërsa shtatë janë ndaluar për procedura të mëtejshme. Përveç kësaj, Ministria e Brendshme mori dje 91 denoncime për ryshfet të mundshëm zgjedhor, kërcënime dhe fotografim të fletëve të votimit. 34 denoncime janë hedhur poshtë menjëherë, 42 prej tyre tashmë janë zbardhur. Prokuroria njoftoi se po vepron edhe mbi disa denoncime nga policia në lidhje me akuzat për ryshfet ndaj votuesve.

“Akuzat për ryshfet po hetohen në Kriva Pallankë, Veles dhe Kumanovë. Pas pretendimeve për ryshfet, policia te tre persona në makinë ka gjetur kartëmonedha nga 2000 denarë dhe lista të pretenduara të votuesve”, u shprehën nga Prokuroria Themelore Publike.

Nga prokuroria sot për Alsat-in shprehen se nuk ka raste të reja nën hetim dhe se rastet e lartpërmendura janë ende duke u përpunuar. Në përgjithësi, si policia ashtu edhe prokuroria e vlerësuan ditën e zgjedhjeve si të qetë, duke shtuar se ajo kaloi në atmosferë demokratike pa ndërprerje të mëdha të procesit zgjedhor.