Muja propozon ndërhyrje ligjore për të mos prekur Trustin

Kryetari i Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, Armend Muja, njëherit deputet i LVV-së, e ka kundërshtuar propozimin për tërheqjen e Trustit, me arsyetimin se kjo shkakton efekte negative në ekonominë e vendit.
Muja propozoi që të bëhen ndërhyrjet e nevojshme ligjore që të mos lejohet tërheqja e Trustit në të ardhmen.
“Propozimi i tërheqjes së 594 milionë eurove prodhon edhe efektet të tjera negative në ekonomi, duke stimuluar transmetimin e inflacionit në import, dhe rënduar llogarinë rrjedhëse kombëtare përmes importit të shërbimeve… Si konkluzion, ne si Komision (për Buxhet) jo vetëm në këtë radhë por edhe në vazhdim duhet ta ndalojmë edhe përmes intervenimeve ligjore përpjekjet për të shkatërruar skemën pensionale, pensionistët aktualë jetojnë keq për arsyeje se pensionet e tyre u vodhën nga Serbia, apo disa të tjerë nuk arritën të kursejnë mjaftueshëm”, ka thënë Muja.
Muja tha se fakti që të rinjtë po mbështesin idenë që të prekën paret e pleqve e shqetëson jo vetëm në kuptimin ekonomik por edhe te traditat kombëtare.