75 Mall Live Search
18:49 / E Diele, 23 Nëntor 2025 / F.R

​Murati – Abdixhikut: Nuk e votuat buxhetin, tash merresh me fushatë

Ministri në detyrë i Financave nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati ka vazhduar ‘debatin’ për buxhetin me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku në rrjetet sociale.

Murati në një postim tjetër në Facebook ‘ia ka parë për të madhe’ kryetarit të LDK-së se po “anashkalon çështjen e miratimit të buxhetit” me temën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Dhe ja, në vend se të përgjigjet pse nuk e votoi buxhetin e Prishtinës për vitin 2025, Lumir Abdixhiku qenka marrë me fushatë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kjo veç çka e vërteton atë që e thash, se këta nuk e kanë hallin te qytetari, përndryshe do ta kishin votuar buxhetin jo veç të Prishtinës por edhe të RTK-së e të shtetit për vitin 2026 e nuk do të kishin rrezikuar pagat, pensionet, e shumë shërbime tjera esenciale. E turpshme Lumir!”

Më herët gjatë ditës kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ministri i Financave në detyrë kanë drejtuar kritika ndaj njëri-tjetrit për bllokimin e buxhetit komunal të Prishtinës.

Abdixhiku drejtoi akuza ndaj Vetëvendosjes për bllokim të buxhetit, duke thënë se përgjigjen do ta marrin në ditën e zgjedhjeve, ndërsa Murati fajet i adresoi te LDK-ja për mos kalimin e buxhetit në Kuvend.