75 Mall Live Search
21:29 / E Mërkurë, 02 Shkurt 2022 / AR

​Mustafa tregon nëse ka pasur me Osmanin marrëveshje për postin e kryetarit të LDK-së

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se nuk ka pasur marrëveshje që presidentja aktuale Vjosa Osmani të merr postin e kreut të kësaj partie.

Disa javë para zgjedhje parlamentare të 6 tetorit 2019, Osmani ishte zgjedhur kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së, ndërsa Mustafa kryetar për një mandat të tretë.

Mustafa në Pressing të T7, ka thënë se ky ishte konsensusi që ishte arritur brenda partisë dhe se nuk ka pasur marrëveshje të fshehtë.

“S’ka pasur asnjë marrëveshje. Tre muaj para zgjedhjeve partiake, paralajmërova kryesinë e partisë se unë nuk jam i interesuar të garoj më për kryetar të partisë, për shkaqe shëndetësore dhe nuk dëshiroj të bëhem pengesë e partisë. Diskutimet e brendshme kanë zgjatur shumë dhe mendova se do të gjendej një zgjidhje dhe të ketë një përafrim rreth kandidatëve, por këtë nuk arritëm ta bëjmë sepse më kërkuan që unë të garoja dhe më detyruan në njëfarë forme. Pastaj u dakorduam që nëse nuk mund të vazhdoj mandatin për ndonjë arsye, prej gjysmës të marrë dikush. Ka pasur orientim që të kemi Vjosa Osmanin, Lutfi Haziri apo tjetërkënd si kryetar. Mendoj se ata i kanë matur gjasat e tyre, por them me përgjegjësi të plotë se nuk ka pasur marrëveshje me askënd. Të gjithë e panë se çdo zgjidhje tjetër do të sillte probleme partiake”, tha ai.