75 Mall Live Search
11:37 / E Enjte, 12 Mars 2026 / b l

​Nafta në Gjermani mund të shtrenjtohet vetëm një herë në ditë

Gjermania planifikon t’ua ndalojë shitësve nëpër pikat e karburantit të rrisin çmimet më shumë se një herë në ditë. Por kësi kufizimi nuk u është bërë atyre kur vjen puna te zbritja e tyre.

Këtë lajm e bëri të ditur ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche, e cila tha se një vendim i tillë është përpjekje për të luftuar rritjen e madhe të çmimeve të karburantit.

“Qeveria synon ta zbatojë këtë masë sa më shpejt të jetë e mundur, për shkak të rritjes së çmimeve të shkaktuar nga lufta me Iranin”, tha ajo, njofton DPA.

Reiche theksoi se çmimet e karburanteve rriten jashtëzakonisht shpejt kur çmimet e naftës bruto janë të larta, ndërsa nga ana tjetër ato bien ngadalë kur kostot ulen.

“Ne duam ta thyejmë këtë mekanizëm,” tha ajo, duke shtuar se masa do të zbatohet përmes një ndryshimi në ligjin kundër monopoleve.

Sipas planeve, të cilat janë modeluar duke pasur për bazë një mekanizëm që përdoret në Austri që nga viti 2011, pikat e karburantit do të lejohen të rrisin çmimet jo më shumë se një herë në ditë, ndërsa për uljen e çmimeve nuk do të ketë një kufizim të tillë.

Çmimet e naftës dhe benzinës janë rritur ndjeshëm që kur Izraeli dhe SHBAfilluan sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt.

Teherani është përgjigjur duke goditur shtetet e Gjirit të pasura me naftë që strehojnë baza ushtarake amerikane dhe duke bllokuar Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe kjo për furnizimin global me naftë.

Politikanët gjermanë kanë akuzuar pronarët e pikave të karburantit dhe furnizuesit e naftës se po përfitojnë nga situata dhe po rrisin çmimet para kohe.

Ministrja e Ekonomisë Reiche ka njoftuar po ashtu se në përpjekje për të ndaluar rritjen e çmimeve, Gjermania do të lëshojë një pjesë të rezervave të saj kombëtare të naftës, në përgjigje të një kërkese nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, për të lehtësuar tregun.