Nagavci: Askush s’po pyet pse gjithë ky siklet për taksën pa reciprocitet

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se deputetët duhet ta mbështesnin qeverinë lidhur me planin për heqjen të taksës kur Serbia të ndalë fushatën për çnjohje të Kosovës.
Sipas saj, kjo do të ishte mbështetje për Republikën e Kosovës.
“Sot do të duhej që ne në Kuvend të debatonim për mbështetjen e plotë që do të duhej t’i jepnim qeverisë dhe kryeministrit Kurti në mbështetje të kësaj kërkese, pra që ne të angazhohemi dhe të kërkojmë nga partnerët tanë që presioni të mos bëhet mbi Kosovën, por të kërkohet nga Serbia që të ndalet fushata për ç’njohjet e Kosovës. Kjo në të vërtetë nuk do të ishte një mbështetje për kryeministrin dhe qeverinë Kurti, por do të ishte një mbështetje për Republikën e Kosovës”, tha ajo.
Nagavci tha se partitë opozitare që kanë kërkuar këtë seancë kanë qëndrime të kundërta lidhur me taksën.
“Dilema nuk është për raportin me Amerikën dhe Evropën, nuk ka të bëjë asgjë me raportet e shtetit të Kosovës me aleatët tanë strategjik, të cilat duhet të ruhen e të forcohen dhe ne jemi të angazhuar për këtë. Por, kemi të bëjmë me tendencën për të vazhduar me keqpërdorim e korrupsion, për çfarë edhe janë gati për ndarje të Kosovës, për të cenuar interesin e vendit për interesa krejt personale…Askush s’po pyet pse gjithë ky siklet për taksën pa reciprocitet. Askush s’po pyet e çfarë ka tutje pas heqjes së taksës, kujt dhe për çfarë po i ngutet, kujt po i prishen planet e kujt pazaret”, shtoi Nagavci.
Ajo ftoi në fund te debatit të votohet rezoluta e propozuar nga LVV në fillim të seancës për bisedi met me Serbinë, e cila përmban tri pika.