Ndahet Çmimi për Dramën Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” 2025
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë sot çmimin për Dramën Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2025, duke vlerësuar veprën më të mirë dramatike origjinale në gjuhën shqipe dhe duke promovuar krijimtarinë bashkëkohore të autorëve vendorë në fushën e dramaturgjisë.
Juria profesionale ka përzgjedhur fituesin duke vlerësuar veprat sipas kritereve të përcaktuara origjinaliteti, struktura dramatike, trajtimi tematik dhe gjuha artistike.
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ndau çmimet për dramat fituese: “Kurora”, “Pse ke frikë?” dhe “Luftën”.
Çeku: “Gjithçka shkon sipas rregullores dhe në fund vlerësimet bëhen profesionale me meritokraci”
“Faleminderit të gjithë anëtarëve të jurisë për punën, gjithashtu edhe drejtoreshës Jehonë të Departamentit të Kulturës, që gjithmonë i rri gati procesit, për t’u siguruar që gjithçka shkon sipas rregullores. Gjithçka shkon sipas rregullores dhe në fund vlerësimet bëhen profesionale me meritokraci”, tha Çeku.
Kushtrim Mehmeti, drejtor artistik i Teatrit Kombëtar dha çmimet për dramat fituese.
Mehmeti: Kanë aplikuar gjithsej 20 drama, sivjet e kemi pas jo brumin më të kënaqshëm të mundshëm
“Kemi filluar gradualisht me i dhënë rëndësi konkursit, për të dalë te konkursi këtë vit. Prej qershorit, kur e kemi hapur konkursin, deri në gusht kanë aplikuar gjithsej 20 drama. Edhe prej atyre 20, juria ka lexuar dhe ka diskutuar, dhe kemi arritur në përfundim se këto tri janë dramat fituese. Më duhet me e cek në emër të jurisë që sivjet e kemi pas jo brumin më të kënaqshëm të mundshëm që ne kishim dashur, ne vazhdimisht po tentojmë me hy rrethin e ngushtë, jo vetëm 6 drama, por megjithatë kemi arritur me i nxjerr tri drama të cilat janë më të komplikuara dhe më të mira në kuadër të këtij materiali që kemi pas. Shumë shpejt po mendojmë që të bëjmë një lexim skenik për tri drama. Çmimin e tretë e fiton për shkak se e trajton temën e frikës dhe pushtetit përmes një komedie alegorike me situata kreative dhe dialog të mirë; çmimi i tretë shkon për dramën “Kurora”. Vepra e dytë është “Pse ke frikë”, e cila zhvendos fokusin nga trauma kolektive në përjetim individual, kurse çmimi i parë shkon për dramën më të mirë për konkursin e dramës origjinale shqipe, për “Luftën”, e cila është një dramë psikologjike”, tha Mehmeti.
Aktorja, Ilire Vinca tha se këto tre drama sjellin një frymë të re dramatologjike, janë origjinale në temat dhe trajtimet e tyre, kanë potencial të hapin horizonte të reja artistike.
Vinca: Është një lloj fryme e re dramatologjike, e cila vërtet synon dhe hap një horizont të ri
“Këto tre drama kanë qëndruar shumë larg arritjeve të prurjeve tjera që i kemi parë, kështu që është një lloj fryme e re dramatologjike, e cila vërtet synon dhe hap një horizont të ri. Është shumë e bukur që si autor dhe si dramator ndjen origjinalitet të temave dhe i trajtimeve, prej gjërave prej të cilave ne rritemi si artist. Kjo e shton peshën e origjinalitetit dhe e hap një derë shumë të bukur, që kur të inskenohen, këto shfaqje kanë me mundësi me depërtuar në universitete tjera”, shtoi Vinca.
Astrit Kabashi, aktor edhe profesor në Fakultetin e Arteve, thekson se konkursi dhe vlerësimi i këtyre dramave janë një motiv shtesë për autorët dhe gjeneratat e reja .
Kabashi: Le ta vlerësojë publiku njëherë, a ia vlen apo nuk ia vlen, mos të paragjykohet
“Unë mendoj që është veç një motiv shtesë për mua, për Florentin, edhe për dramashkruesit, por edhe për gjeneratat e reja që vijnë. Besoj që ka me i motivuar shumë. Motiv edhe më i madh kish me qenë për ne nëse këto tekste inskenohen, veç se kanë filluar pas dy vitesh. Unë e falënderoj Teatrin Kombëtar, por jo veç tekstet e mia, po të gjithë dramaturgët. Shpesh dëgjojmë se dramaturgjia kombëtare pak po çalon; unë i kisha lënë me provu këtë dramaturgji njëherë, le ta vlerësojë publiku njëherë, a ia vlen apo nuk ia vlen, mos të paragjykohet”, shtoi Kabashi.
Florent Kurtalani, aktor dhe dramaturg tha se konsideron që cikli i një drame përmbyllet atëherë kur del para audiencës.
Kurtalani: Konsideroj që cikli i një drame ose një teksti i shkurtër përmbyllet atëherë kur del para audiencës
“Konsideroj që cikli i një drame ose një teksti i shkurtër përmbyllet atëherë kur del para audiencës tënde, qoftë e inskenuar qoftë edhe jo e inskenuar si lexim skenik. Ndaj shpresoj se kanë me u organizu edhe këto në aspektin e publikut”, tha Kurtalani.
Çmimi “Katarina Josipi” përfaqëson një nga vlerësimet më të rëndësishme institucionale për dramaturgjinë shqipe dhe ka si qëllim inkurajimin e krijimtarisë origjinale dhe të cilësisë artistike.

