18:58 / E Mërkurë, 19 Shkurt 2020 / indeksADMonline

​Ndarja e mjeteve për KQZ-në, shfaqi dallimet e koalicionit VV-LDK

Qeveria e Kosovës në mbledhjes e sotme ka marrë një sërë vendimesh. Kryeministri, Albin Kurti bashkë me vartësit e tyre shkarkuan bordin e drejtorëve të Telekomit, riemëruan Izedin Bytyqin nga Sekretari i Përgjithshëm në ish Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në pozitën e njëjtë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit.

Ndërsa gjithë sekretarët tjerë të përgjithshëm që janë prekur nga riorganizimi i ministrive, kaluan në listën tepricë sipas Ligjit të Shërbimit Civil. Ekzekutivi me abstenimin e pesë ministrave të LDK-së, ndau mjetet financiare për KQZ-në në lidhje me zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë. Por vetëm për mallra dhe shërbime, e jo mëditje.

Duke folur mbi arsyetimin për shkarkimin e Bordit të drejtorëve në Telekomin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se janë plotësuar të gjitha kushtet për një vendim të tillë.

“Duke u mbështetur në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në faqet 15 deri 20, 27 dhe 51 dhe 52, Qeveria konstaton se janë plotësuar kushtet për shkarkimin e drejtorëve. Sipas nenit 19.3 Qeveria duhet të i shkarkojë drejtorët menjëherë, nëse ka arsye për të besuar se kanë shkelur detyrat financiare. Duke pasur parasysh raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në faqet 9-10 dhe 20 deri në 27, Qeveria vëren se drejtorët kanë lejuar shpenzime të tepërta, punësime e gradime pa kriter. Si dhe kontrata për mallra dhe shërbime në kundërshti me nevojat dhe zotimet e ndërmarrjes, për ulje shpenzimesh dhe rritje të hyrash. Rrjedhimisht Qeveria konstaton se ka arsye për të besuar se drejtorët kanë shkelur detyrat financiare, për çka duhet të shkarkohen. Përfundimisht pika katër e rezultues së Kuvendit të Kosovës, gjithashtu kërkonte shkarkimin e drejtorëve të Kosovës” , tha ai.

Kabineti qeveritar kryesuar nga kryeministri Kurti morën vendim që gjithë sekretarët e përgjithshëm nga ministritë e prekura nga riorganzimi, do të kalojnë në listën tepricë, ose të ricaktohen në pozitat ekuivalente.

Për këtë arsye me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, Izedin Bytyqi ish-sekretar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, u ricaktua si Sekretar i Përgjithshëm në ministrinë që ai drejton.

“Sekretarët e përgjithshëm nga ministritë e prekura nga riorganizimi, sipas vendimit numër 145 të datës katër shkurt të vitit 2020 të Kuvendin të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë, kalojnë në listën tepricë sipas legjislacionin në fuqi për shërbimin civil. Pika dy, sipas pikës një të këtij vendimi, ministritë e prekura nga riorganizimi janë Ministria e Punëve të Jashtme d he Diasporës. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Transfereve, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Ministria Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit. Pika tre, Qeveria e Kosovës do të shqyrtojë mundësinë e ricaktimit në pozita ekuivalente, apo do t’i trajtojë sipas rregullimit ligjor për nëpunësit tepricë në pajtim me ligjin në fuqi… Zotëri Izedin Bytyqi në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 19 shkurt 2020 i është vazhduar mandati… Si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale ricaktohet si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientin”, u shpreh Kurti.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar edhe vendimin e mëhershëm, ku ministrat dhe zëvendësministrat përfitonin mjete financiare pas përfundimit të mandatit.

“Ne përveç që po i reduktojmë ministritë për Qeveri më të vogël dhe shtet më të fortë. Duhet njëkohësisht edhe t’i reduktojmë shpenzimet, të cilat u patën bërë zakon e lami me pasoja të mëdha, nga numri i madh i ministrave dhe zëvendësministrave nga mandati i kaluar”, u shpreh Kurti.

Koalicioni qeverisës shfaqi dallime në mënyrën e ndarjes së mjeteve financiare për KQZ-në në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarin e Podujevës.

Ministrit të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi adresoi kritika për kërkesën e KQZ-së dhe kërkoi që të ndahen mjetet vetëm për mallra dhe shërbime, e jo për mëditje.

“Ne si ministri jemi shokuar me mënyrën, apo me nivelin e profesionalizmit të KQZ-së, në përpilimin e kërkesës d he kalkulimin e shpenzimeve. Po e ceki një element për të pas parasysh. Zgjedhjet janë vetëm për një komunë me një fletëvotim dhe kërkesa është për paga dhe mëditje shtesë për anëtarët e KQZ-së bashkë me PZAP për 116 mijë euro. Kërkesa është 60 përqind mëditje shtesë. Jo vetëm që është kërkesë e paligjshme, sepse maksimumi që lejohet me ligjin e punës është 40 orë në javë, por është edhe e pakuptueshme me nivelin e angazhimit që ka. Unë jam plotësisht i qartë se KQZ është një institucion atutnom. Por kjo autonomi duhet të përdoret për forcimin e institucionit, e jo për me zhvat buxhetin e shtetit”, tha ai.

Për këtë reagoi zëvendëskryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kërkoi që të mbështet kërkesa e KQZ-së ashtu si ka ardhur, dhe sugjeroi që si anëtarë të kabinetit qeveritar të mos japin bindjet e tyre personale.

“E d ëgjova me kujdes ministrin e Financave, sigurisht e mbështes për kujdesin që po e bën ndaj financave publike. Nuk ka dyshim. Përveç që të kujdesemi si anëtarë të Qeverisë që asnjëherë të mos japim kualifikime, që mund të jetë bindje tona personale”, tha ai.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme, po ashtu vendosi që të ndryshohet rregullorja për fushat e përgjegjësisë në Zyrën e Kryeministrit dhe ministrive tjerë. Me anë të kësaj do t’i shtohen kompetencat kryeministrit dhe do të ketë kod të ri të mirësjelljes për të emëruarit politik, raporton KosovaPress.

Edhe në këtë mbledhje të kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti nuk foli në konferencën për media para gazetarëve.