75 Mall Live Search
15:50 / E Hënë, 17 Qershor 2019 / indeksADMonline

​Në ditën e çlirimit, inaugurohet shtatorja e patriotit ”Hasan Prishtina”

Në 20 vjetorin e ditës së çlirimit të qytetit të Vushtrrisë, është inauguruar sheshi dhe shtatorja e patriotit “Hasan Prishtina” në Vushtrri.

Me këtë shtatore, ky i fundit  është rikthyer në vendin e tij, nga ku  u tha se do të kujtohet përjetë jeta dhe vepra e tij.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se përulen para atyre të cilët derdhen gjak për lirinë e vendit. Ai tha se në këtë përvjetor agoi dielli i lirisë për qytetin historik, të cilin ai e udhëheq tani.

” Për lirinë tonë u shkri dije, u derdh gjak, u bë mund nga gjeneratat e tëra, brez pas brezi që sot së bashku shënojmë këtë përvjetor të Vushtrrisë, 17 qershorin, kjo datë e rëndësishme e qytetin tonë shënon fundin e shtypjes të popullit të Vushtrrisë, nga regjimi gjenocidal serb. Në këtë datë të bekuar agoi dielli i lirisë. Lindi shpresa jonë për një të ardhme më të mirë, për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë. Në këtë përvjetor të lirisë tonë, ne përulemi me respekt, para kujtimit për ata që u flijuan për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës, atdheut tonë të shtrenjtë që u la me gjakun e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj ne sot kujtojmmë me epitet e me krenari të rënët në masakrën e Studimes, të datën 2 maj 1999 dhe të rënët në qytetit të datës 22 maj 1999″, tha ai.

Tahiri tha se është krenar që në këtë përvjetor përmes inaugurimit të shtatores së Hasan Prishtines, ai po rikthehet në vendin e tij të lindjes. Kjo shtatore tha se duhet të shërbejë si inspirim për vazhdimin e rrugës së tij.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi tha se Hasan Prishtina ka eshtrat nën dhe, por ai është i gjallë.

” Është një ditë shumë e veçantë ku dielli shndërron më shumë se herave tjera, në një datë jubilare siç është 20 vjetori i çlirimit të Vushtrrisë. Qytet historik, qytet të luftës dhe të punës, qytet i memories kombëtare dhe ndaj jemi shumë të gëzuar që sot në liri në këtë ditë kaq madhështore, urojmë që ditë si këto t ëvijnë me arritje më të mëdha që gjithsecili prej nesh t’i shtojmë këtij vendi kaë të rëndësishëm të Kosovës…jemi në një ditë tjetër historike ku biri i juaj Hasan Prishtina shfaqet kaq fuqishëm më këtë bust shumë të bukur”, tha Minxhozi.

Në emër të Shoqatave të dala nga lufta, Shaip Hyseni tha se do të kujtojnë gjithmonë luftën e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri dhe pavarësi të vendit.

“Sot 20 vite më parë me 17 qershor të vitit 1999 u kurorëzua përpjekja shekullore e popullit tonë për liri. Falë luftës së lavdishme të UÇK-së dhe gjakut të dëshmorëve u arrit liria e shumë pritur nga shumë breza. Sot është një ditë shumë r veçantë për qytetarët e Vushtrrisë ne 20 vjetorin e çlirimit të komunës tonë. Në këtë ditë të shënuar ne kujtojmë me pietet të lartë dëshmorët dhe martirët e kombit, flijimi i tyre për lirinë e vendit mbetet udhërrëfyesi për të punuar edhe më shumë për të forcuar shtetin e Kosovës”, ka thënë Hyseni.

Të pranishëm në këtë përvjetor ishin edhe kryetari i komunës së Skenderajt Bekim Jashari, kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, ai i Mitrovicës, Agim Bahtiri, kryetari i VV-së Albin Kurti, dhe shumë përfaqësues politikë, e qytetarë të këtij vendi.

Kuvendi Komunal ka ndarë edhe mirënjohje për dëshmorët e rënë.

Derisa është ndarë edhe çmimi “Pena e artë”, për Remzie Zekollin, për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë.

Me çmimin “Nderi i Qytetit”, kryetari Tahiri ka dekoruar atdhetarin, Ali Jonuzi. Në emër të presidentit janë ndarë  dekorata “Hero i Kosovës” për Avni Saraqi, Bahri Kuçi, Bektesh Haliti, Andi Hajrizi, Nezir Ymeri, e shumë të tjerë.