75 Mall Live Search
14:37 / E Diele, 30 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

​Në Prishtinë, 33 institucione të arsimit ngrohen me naftë

Në komunën e Prishtinës janë 33 institucione arsimore të cilat sistemin e ngrohjes e kanë me naftë. Madje me naftë ngrohen edhe disa çerdhe dhe kopshte të kryeqytetit, ani pse kjo lëndë konsiderohet se ka veti kancerogjene.

Përderisa prindërit thonë se do të ishte mirë që kjo lëndë të zëvendësohet me diçka tjetër, Drejtoria e Arsimit në këtë komunë thotë se janë duke punuar që ta zëvendësojmë, por që është procedurë e kushtueshme dhe nevojitet buxhet.

Kujtojmë se në vitin 2014 në 43 institucione arsimore në kryeqytet ishte ndërprerë mësimi, pasi pas një analize që ishte bërë kishte dal niveli i lartë i sulfurit në naftën që ishte përdorur në shkolla.

Një nga shkollat e kryeqytetit që ngrohet me naftë është shkolla fillore “Naim Frashëri”. Po në këtë shkollë Ganimete Sopjani-Gashi, ka një fëmijë në klasën e katërt. Për të si nënë është shqetësuese që kjo shkollë ngrohet me naftë. Ajo thotë se do të ishe mirë që kjo lëndë djegëse të zëvendësohet.

Të njëjtin mendim e ka edhe Ymret Reshiti, i cili është kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës. Ai thotë se ka marrë disa ankesa nga prindërit rreth përdorimit të naftës në disa shkolla të Prishtinës.

Po ashtu, ai thotë se është problematike përdorimi i naftës për shkak të aromës që mund të liroj nëpër klasë.

Reshiti thotë se komunat së bashku me Ministrinë e Arsimit do të duhej të punojnë që sistemi i ngrohjes në shkolla të jetë me pelet apo me dru. Po ashtu, ai thotë se do të ishte mirë që shkollat të jenë në sistemin e ngrohtores së qytetit.

Një shkollë tjetër që ka sistemin e ngrohjes me naftë është shkolla “Elena Gjika”, por zëvendësdrejtoresha e kësaj shkolle, Agnesa Glloboder, thotë se nuk kanë probleme sa i përket ngrohjes. Megjithatë, shprehet se do të ishte më mirë që kjo shkollë të jetë e kyçur në sistemin e ngrohjes së ngrohtores së qytetit.

Zëvendësdrejtoresha për KosovaPress bëri të ditur se nuk kanë pasur ndonjë ankesë nga prindërit sa i përket asaj që shkolla ngrohet me naftë.

Në anën tjetër, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihu, ka deklaruar se janë duke analizuar për mënyrën se si mund ta zëvendësojnë naftën nëpër shkolla me ndonjë lëndë tjetër djegëse, madje shton se këtë e kanë prioritet.

Ai thotë se ky zëvendësim nuk mund të bëhet brenda ditës, pasi sipas tij, në shumë shkolla duhet të ndërrohet komplet sistemi  i ngrohjes.

Kurse, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, thotë se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë ankesë sa i përket përdorimit të kësaj lëndë djegëse nëpër shkolla.

Ai thotë se nëse ka kërkesa që kjo lëndë të ndërrohet, si ministri do të gjejnë një mënyrë për të mbështetur komunat.

Përndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë gjatë këtij viti ka marrë vendim që nëpër shkolla të ndalohet përdorimi i thëngjillit për ngrohje.