Nesër shorti për renditjen e subjekteve politike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndryshuar datën për tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Më herët ishte propozuar që tërheqja e shortit të bëhej më 8 dhjetor, por kjo u ndryshua në mbledhjen e radhës së këtij institucioni.
Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala tha se tërheqja e shortit do të mbahet nesër, me fillim nga ora 14:00.
Nesër, një minut para mesnatës, përfundon afati për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë, po ashtu.
“Më 7 dhjetor 2025, në orën 23:59, përfundon afati për subjektet politike për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, njoftoi më herët gjatë ditës zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas tij, “në përmbushje të detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar, KQZ, nëpërmjet Zyrës, do të dorëzojë në disa institucione kërkesat e veçanta së bashku me listën e kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të verifikimit të tyre nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”.
Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 28 dhjetor./IndeksOnline/

