14:43 / E Martë, 30 Qershor 2020 / indeksADMonline

​Një gjykatës i Gjykatës Themelore të Gjakovës rezulton pozitiv me COVID-19

Një gjykatës i Gjykatës Themelore të Gjakovës ka rezultuar pozitiv me COVID-19, duke detyruar që 60% e stafit të këtij institucioni të shkojnë në shtëpi.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i kësaj gjykate, Lekë Muçaj, i cili tha se aktualisht në punë janë gjykatësit dhe stafi mbështetës për të mbajtur seancat gjyqësore të paralajmëruara më herët.

“Aktualisht Gjykata Themelore në Gjakovë funksionon vetëm me 40% të stafit për të mbajtur seancat që tashmë janë caktuar. Pra, janë gjyqtarët dhe stafi mbështetës të cilët janë të nevojshëm për mbarëvajtjen e një seance”, deklaroi Muçaj.

Ai tha se të gjithë të tjerët janë dërguar në shtëpi, ndërsa për këtë janë njoftuar edhe institucionet relevante.

“Ne kemi identifikuar menjëherë kontaktet e afërta të gjyqtarit dhe janë liruar për një shtëpi. Më pas, janë dërguar në shtëpi edhe një pjesë tjetër e stafit. I kemi njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës, IKSHPK-në dhe institucionet relevante”, vijoi Muçaj.

Sipas tij, ata që e kanë të mundur po e vazhdojnë punën online nga shtëpitë, ndërsa po presin rekomandimet e IKSHPK-së se si duhet të veprohet më tej.