75 Mall Live Search
12:08 / E Diele, 13 Shkurt 2022 / MSH

​Një vit nga zgjedhjet e 14 shkurtit, Haziri: Kurti i pavendosur, prisja udhëheqje ndryshe nga Osmani

Nesër bëhen një vit nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 14 shkurtit 2021 ku Lëvizja Vetëvendosje, së cilës iu bashkua edhe Lista Guxo e Vjosa Osmanit, arritën një rezultat të paparë deri atëherë në Kosovë duke marrë shumicën në Kuvend.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, vitin e parë të qeverisjes së Kurtit e konsideron me pavendosmëri në udhëheqje dhe hezituese në politikat ekzekutive. Ai flet edhe për rolin e presidentes Vjosa Osmani në skenën politike dhe procesin e reformave në LDK. Për dialogun me Serbinë, ai kërkon konsensus të brendshëm politik.

Haziri thotë se qeveria vitin e saj të parë e ka shfrytëzuar më shumë për t’u ankuar për të kaluarën se sa për të zgjidhur problemet që ka vendi. Sipas tij, dëshpërimi do të fillojë së shpejti pasi gjithçka që ka qenë pritje e madhe nuk është realizuar.

“Me plotë hezitime dhe pavendosmëri në udhëheqjen dhe lidershipin që qeveria e ka në zbatimin e detyrave ekzekutive. Hezitime të mëdha në proceset e mëdha që vendi ka dhe kjo qeveri duhet t’i shtyjë përpara. Natyrisht ka pasur më shumë përpjekje për të kamufluar dhe ankuar të kaluarën se sa përpjekje serioze për të zgjidhur probleme sistemore. […] Gjithçka që ka qenë pritje e madhe nuk është realizuar, ndoshta njerëzit janë në pritje, por faza e dëshpërimit do të fillojë shumë shpejtë dhe ai do të jetë shumë i madh”, thotë ai.

Nënkryetari i LDK-së thotë se ka pritur udhëheqje ndryshe edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

“Kam pritur ndryshe, kam prit reagim dhe udhëheqje krejt ndryshe në presidencë, por këtu jemi. Pas një viti LDK ndihet në sfatisfaksion të plotë për rolin e vet pozitiv në zgjedhjen e presidentes dhe largimin e krizave të paralajmëruar politike. Pasi ne e kemi kuptuar prej fillimit se në këtë shumicë parlamentare prodhojnë kriza për t’i mbuluar problemet. E vetmja mënyrë për ta larguar vëmendjen e qytetarëve prej problemeve ditore është prodhimi i krizave. A ndihem i dëshpëruar? Nuk e di çka të them, por edhe më tutje besoj se ka hapësirë dhe kohë të ndryshojë. Presidentja duhet të përfaqësojë interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim moshe, pa bindje politike dhe etnie. Duhet me qenë e barabartë e drejtë në zbatimin e detyrave kushtetuese”, thotë ai për KP.

Lidhur me procesin e reformave në LDK, Haziri thotë se pas zgjedhjeve lokale janë në një fazë të zhvillimit të ri.

“Jemi në një fazë të zhvillimit të ri në LDK pas zgjedhjeve lokale dhe jemi në grupin e parë të degëve dhe komunave që po merremi me zgjedhjet e jashtëzakonshme. Zgjedhjet që shkojnë në një strukturimi të ri duke eliminuar dobësi dhe problemet që janë gjetur në këto struktura”, përfundon ai.

Haziri ka kritikuar gjithashtu Qeverinë e Kosovës për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.

Vendimin e tillë e konsideron të papërballueshëm për qytetarët dhe paralajmëron se rritja e çmimit të energjisë do t’i prekë shumë shpejt edhe bizneset.