Njohja nga Siria, Spiropali: Urime Kosovë
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka përshëndetur vendimin e Sirisë për njohjen e Kosovës sot shtet i pavarur.
Ajo në një reagim në rrjetin X, ka shkruar se Kosova po e fiton vendin e merituar në familjen e madhe të kombeve.
“Kosova po përparon në rrugën e forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, falë përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të saj për ndërtimin e një shteti demokratik e të zhvilluar, por edhe mbështetjes së miqve e partnerëve, të cilët e kanë ndihmuar procesin e saj të njohjes dhe shtet-ndërtimit.”
Spiporali ka falënderuar Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud për mbështetjen e dhënë në kurorëzimin e kësaj njohjeje.
“Jam e bindur se njohje pas njohjeje, Kosova do të sigurojë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të kombeve. Urime Kosovë”, shkruan Spiropali.
Siria sot ka njohur Kosovën duke u bërë shteti i 120-të në botë që merr një vendim të tillë që nga shpallja e pavarësisë së vendit tonë në shkurt të vitit 2008.

