Nuhi Bytyqi: Nuk kam marrë asnjë ftesë zyrtare nga Specialja
Gazetari Nuhi Bytyqi ka demantuar mediat, të cilat raportuan se ai ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.
“Njoftoj opinionin publik se unë nuk kam marrë asnjë ftesë zyrtare me shkrim nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Momentalisht gjendem në një turne të promovimit të librit tim, “Librit të luftës” që më është organizuar në Zvicër, në Austri dhe në Slloveni”, thuhet në deklaratë.
Bytyqi ka bërë të ditur se ditë më parë është kontaktuar në telefon nga përfaqësues të Speciales.
“Edhe pas kërkesës sime, përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës nuk më kanë informuar se në çfarë cilësie më kanë kontaktuar mua. Kam kërkuar nga ta që për çdo kërkesë të tyre drejtuar meje të informohem zyrtarisht me shkrim. Në të njëjtën kohë, kam shprehur gatishmërinë për të thënë të vërtetën e veprimtarisë sime gjatë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.
Bytyqi shprehet krenar me veprimtarinë e tij në shërbim të informimit të mirëfilltë për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se lufta çlirimtare e viteve 1998 dhe 1999 simbolizon sakrificën sublime dhe mbijetesën e popullit të Kosovës, dhe se është lufta vendimtare që mundësoi çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
“Edhe njëherë e potencoj se unë jam i gatshëm që në çdo kohë dhe në mënyrë të hapur të dëshmoj për sakrificën dhe mbijetesën e popullit të Kosovës, të cilën unë dhe shumë kolegë të mi gazetarë e kemi prezantuar në mënyrë profesionale në ekranet televizive në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare”, përfundon deklarata.