Oda Amerikane kërkon ligj të veçantë për trajtimin e gjobave dhe borxheve pas pandemisë

Mbarëvajtja e procesit të aplikimeve për kompensim nga Ministria e Financave, roli i ATK-së mbi mbledhjen dhe shqyrtimin e aplikimeve, ndikimi i pandemisë COVID-19 mbi operacionet e ATK-së dhe sugjerimet për të ardhmen, ishin temat e diskutimit në forumin virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, mbështetur nga BERZH dhe programi i BE-së për Zhvillim të Ndërmarrjeve dhe Lehtësim të Investimeve.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se në një takim virtual me Këshillin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik, ka propozuar krijimin e një ligji të veçantë pas pandemisë, i cili do të zgjidhë çështjen e gjobave gjatë kësaj periudhe, por edhe faljen, trajtimin më të mirë të borxhit të akumuluar dhe interesave ndëshkimore që mund të krijohen.
Sipas Zekës, një kërkesë e tillë duhet të merret parasysh pasi që ruajtja e shëndetit të mirë të ndërmarrjeve dhe niveli i garantuar i të hyrave të shtetit është në interesin e të gjithëve.
Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, theksoi se pandemia ka ndikuar negativisht në kufizimin e aktiviteteve të planifikuara për këtë vit, e rrjedhimisht edhe në aspektin e të hyrave.
Sipas tij është e vështirë të merret një pasqyrë e saktë e ndikimit që pandemia ka pasur mbi ekonominë e vendit, sidomos për shkak se janë marrë tre vendime radhazi lidhur me zgjatjen e afatit për deklarim dhe pagesë të tatimeve.
Murtezaj foli edhe mbi përgjegjësinë e ATK-së për ofrimin e vërtetimeve tatimore, përmes të cilave u është mundësuar liria e lëvizjes punëtorëve, duke shtuar se këto vërtetime janë azhurnuar disa herë konform rregullave të caktuara nga Qeveria dhe përmes kësaj platformë janë lëshuar mbi 5000 vërtetime.
Murtezaj mes tjerash përmendi se ka ngritur çështjen e hapjes së një pike kontakti për të dhënë sqarime nga zyrtarët shtetërorë për komunitetin e biznesit.