14:13 / E Shtunë, 11 Korrik 2020 / indeksADMonline

​Onkologjia ofron mbi 75 mijë shërbime mjekësore gjatë pandemisë

Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkundër situatës së krijuar me COVID-19 ka vazhduar me ofrimin e shërbimeve mjekësore për pacientët me kancer. Brenda këtyre 17 javëve që po ballafaqohemi me Covid-19, në këtë klinik janë ofruar mbi 75 mijë shërbime të ndryshme mjekësore për pacientët.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi tha se gjatë kësaj periudhe kanë punuar me kapacitete të plota me qëllim që të ofrohet shërbim për pacientët e tyre.

Ai tha se herë pas here kanë pasur mungesa të disa tabletave por me të cilat tashmë janë të furnizuara.

“Deri tash kemi ofruar shërbime gati me kapacitete të plota, mbi 75 mijë shërbime deri tani kemi qenë mirë me barna herë pas here kemi qenë në mungesa të vogla të disa formave tabletare të ilaçeve, të cilat me kohë jemi furnizuar me këto. Këto dy javë besojmë që do të normalizohet furnizimi edhe më shumë pasi janë bërë porositë nga muaji i kaluar dhe shpresojmë t’ia dalim mbanë…Janë terapi hormonale të cilat edhe në mungesa edhe nëse shtyhen një javë dy javë nuk kanë ndikim në shëndetin e pacientëve”, theksoi Kurtishi.

Kurtishi thotë se mbi 98 përqind e pacientëve i kanë marrë kimioterapitë, kurse 60 deri 80 pacientë kanë bërë rrezatimet e nevojshme.

“Si Klinikë e Onkologjisë në rajon kemi bërë trajtimin shumë profesional dhe adekuat me të gjitha mjetet dhe pajisjet që ne i disponojmë. Në aspektin e ilaçeve kimioterapisë duke filluar prej atyre që kushtojnë disa qindra euro e deri tek mijëra euro pacientët i kanë marrë në skema të rregullta dhe kanë qenë të mbuluar gati të gjithë pacientët që kanë nevojë kur themi gati i bie gati 98 përqind, ndërkaq për rrezatim edhe pacientë me rrezatim herë pas here ndonjë vonesë të vogël por prapë se prapë gati 60 deri 80 pacientë kanë bërë rrezatim ditor që për aparaturën që i kemi dhe për kushtet që jemi duke punuar është optimale”, theksoi ai.

Drejtori i Onkologjisë thotë se duke e parë shtimin e rasteve me COVID19 në ditët e fundit me qëllim që të ketë mundësi të ofrimit të shërbimeve është reduktuar stafi.

Ai tregoi edhe për mënyrën se si po iu përmbahen rekomandimeve të IKSHP-së për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

“Kemi qenë mirë të furnizuar me maska me doreza, dhe mantil një përdorimsht ato i kemi përdorë vazhdimisht gjatë gjithë kohës. E mira tjetër është se edhe pacientët tanë kanë pasur edhe ata maska ata që marrin kimioterapi ne i kemi zbatuar rregullat e IKSHP-së që edhe largësia ndërmjet pacientëve të jetë të jetë gati 1 metër e gjysmë deri në dy shtretërit, pacientët të jenë të pajisur me maska dhe doreza. Në fillim kjo ka qenë më mirë edhe kjo ka vazhduar edhe ditëve të sodit. Por duke parë numrin shumë të madh atëherë kjo ka dal jashtë kontrolli në gjithë Kosovën ne po mundohemi që t’i zbatojmë këto rregulla dhe pacientët tanë të mos infektohen edhe pse gjasat janë të mos infektohen”, theksoi Kurtishi.

Gjatë kësaj javë me COVID19 kanë rezultuar pozitiv dy mjekë të Klinikës së Onkologjisë.

Në ditët e fundit kemi pasur shtim të rasteve me COVID19, dhe si pasojë e kësaj në Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Vushtrri dhe në veri të vendit, ka filluat kufizimi i lëvizjes nga ora 21:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Gjatë kësaj periudhe të mbyllura me vendim të qeverisë është edhe fusha e gastronomisë në gjithë vendin.