75 Mall Live Search
12:17 / E Enjte, 15 Janar 2026 / MSH1

​Osmani: Masakra e Reçakut, dëshmi e qëllimit shfarosës të Serbisë ndaj shqiptarëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Kompleksi Memorial në Reçak, ka kujtuar sot masakrën ndaj 45 viktimave, duke theksuar se ky krim ishte dëshmi e gjallë e synimit të Serbisë për të zhdukur popullin shqiptar nga faqja e dheut.

Pas homazheve, Osmani ka theksuar se dhimbja për masakrën e Reçakut mbetet e freskët edhe pas 27 vitesh, ndërsa Serbia ende nuk është ndëshkuar për këtë dhe krime të tjera të kryera në Kosovë. Ajo ka shtuar se politika dhe mendësia e njëjtë vazhdojnë ende, duke përfshirë edhe mohimin e masakrës së Reçakut.

“Në këtë 27-vjetor të Masakrës së Reçakut, edhe një herë përkujtojmë të gjitha viktimat e kësaj masakre të llahtarshme, e cila sërish dëshmoi qëllimin shfarosës që regjimi gjenocidal i atëhershëm i Serbisë kishte ndaj popullit të Kosovës. Reçaku dhe plagët e Reçakut ende flasin, sepse dhimbja është po aq e freskët sa ishte para 27 vitesh. Dhimbja është e freskët për familjet, por është po aq e freskët për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende nuk ka asnjë drejtësi për krimet që janë kryer këtu, por edhe në pjesë të tjera të Republikës së Kosovës. Edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon me po të njëjtat politika dhe po të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit, siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut, është krim i dyfishtë”, tha Osmani.

Presidentja ka shtuar se themelet e shtetit të Kosovës janë të forta falë sakrificës së martirëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të vërtetën jo vetëm këtu në Kosovë, por cdokund në botë. Sepse, ashtu siç dëshmoi ambasadori Walker, ajo që ndodhi këtu ishte krim kundër njerëzimit, ishte krim kundër të pafajshmëve, dhe ishte dëshmi e gjallë se qëllimi i regjimit serb ishte ta zhdukte popullin shqiptar në Kosovë nga faqja e dheut. Sot jemi të lirë, gëzojmë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në shtetin tonë sovran në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për shkak se themelet e shtetit tonë janë të forta dhe janë bërë të forta me sakrificën e martirëve të Reçakut dhe gjithandej Kosovës, dhe dëshmorëve të UÇK-së, të cilët dhanë edhe jetën në mënyrë që ne sot të gëzojmë lirinë”, shprehet Osmani.