13:58 / E Hënë, 15 Gusht 2022 / MSH

​Osmani paralajmëron traktat për mbrojtje të ndërsjellë me Shqipërinë

Një traktat për mbrojtje të ndërsjellë me Shqipërinë, cili do të mundësonte reagim në rast të cenimit të shteteve, është përmendur në takimin në mes të presidentes Vjosa Osmani dhe homologut të saj Bajram Begaj.

Osmani ka thënë se është koha që të ndërmerren hapa të duhur në këtë drejtim sa i përket bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Pasi e priti me nderimet më të larta shtetërore, Osmani kërkoi nga presidenti i Shqipërisë mbështetje të vazhdueshme në proceset integruese të Kosovës.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova llogaritë në përvojën e Shqipërisë në rrugën e saj drejt aplikimit për statusin e vendit kandidat në bashkimin Evropian, për çka ka theksuar se do të ndodh deri në fund të këtij viti.

Osmani ka thënë se fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në gjithë rajonin dhe ka theksuar se synim i Kosovës mbetët anëtarësimi në këtë aleancë.

“Sa i përket bashkëpunimit tonë dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes është me rëndësi që mes Shqipërisë, siç e diskutuam, të kemi edhe një traktat për mbrojte të ndërsjellë me të cilin në mënyrë reciproke do të reagojmë në rast të cenimit të dy shteteve tona. Ka disa vite qe e kam bërë një propozim të tillë, i cili është në harmoni me praktikat ndërkombëtare dhe aplikohet nga shumë shtete përfshirë nga aleatët tanë strategjik ndaj mendoj që është koha të bëjmë hapa të duhur në këtë drejtim”, ka thënë Osmani.

Osmani ka përmendur edhe situatën e krijuar pas 31 korrikut në veri të Kosovës për çka ka thënë se institucionet vazhdojnë të jenë të koordinim të plotë më partnerët ndërkombëtar dhe po bëjnë përgatitjet për zbatimin e vendimeve.