Pacolli: Haradinaj u përball me presion për heqje të taksës
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në Samitit e Berlinit ka pasur presione të shumta për pezullimin e taksës.
Ai madje tha se ambasadori i SHBA-së në Gjermani, me të cilin janë takuar krerët e Kosovës para Samitit, i ka kërkuar delegacionit kosovar ta pezullojë taksën për dy javë, por një kërkesë e tillë është refuzuar nga kryeministri Haradinaj.Ai ka konfirmuar se presion për largim të taksës kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pasur edhe nga nikoqirët e Samitit të Berlinit, konkretisht nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Këto kërkesa Pacolli tha se organizatorët i bënë pas konferencës së parë, konkretisht gjatë një kokteji. I pyetur nëse mos uniteti i presidentit Hashim Thaçi me kryeministrin, Ramush Haradinaj, ka dëmtuar raportet bilaterale të Kosovës në nivelin rajonal, Pacolli tha se në Samitin e Berlinit presidenti Thaçi nuk i ka bërë presion kryeministrit Haradinaj për taksën, por vetëm në fjalimin e tij ka qenë kritik ndaj BE-së dhe ka konsideruar se taksa është legjitime dhe se duhet të mbetet në fuqi.
Ai tha se janë dakorduar që takimi i radhës të jetë në Samitin e Parisit, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Ekipit Negociator. Duke folur për ecurinë e Samitit të Berlinit ku ishte edhe ai prezent, Pacolli tha se pret që edhe verbalisht Kosova ta merr një ‘po’ nga Gjermania sa i takon liberalizimit të vizave. Pyetje rreth Samitit të Berlinit pati edhe deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, e cila kërkoi të di sa persona kanë qenë pjesëmarrës në Samiti nga Kosova dhe sa i ka kushtuar udhëtimi me aeroplan privat, dhe se më shumë po punon me shtetet afrikane, sesa me 5 shtetet që nuk e kanë njohur Kosovë.

E këto pyetje si duket pak e tensionuan shefin e diplomacisë teksa i ka konsideruar si tendencioze, duke thënë se në Samitin e Berlinit ka qenë i shoqëruar vetëm nga këshilltari i tij dhe se nuk e di për pjesën tjetër të institucioneve tjera qeveritare.
Ndërsa, deputeti, Glauk Konjufca kërkoi të di se a është momenti i duhur tani që Kosova të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, dhe se a shkakton pengesë në këtë proces Gjykata Speciale.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli tha se emërimi i sekretarit të ri të Këshillit të Evropës i ka mundësuar Kosovës që të aplikojë së shpejti në këtë Këshill. Sa i përket Interpolit, gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Jashtme, ministri Pacolli kërkoi që raportimi të bëhet pa praninë e mediave për çka anëtarët e komisionit u pajtuan.