16:12 / E Mërkurë, 12 Qershor 2019 / indeksADMonline

​Pllakë për Bill Clintonin te shtatorja e tij

Në kuadër të “Ecjes për Liri” për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, ish presidenti Bill Clinton ka vizituar Bulevardin “Bill Clinton” ku është dhe shtatorja e tij.

Me këtë rast në shenjë mirënjohje për të dhe ish sekretaren, Madeleine Albright është përuruar një pllakë afër shtatores së Clinton.

Ish presidenti Clinton tha se kjo pllakë është një dhuratë shumë çmueshme dhe tha se nuk duhet të krijohet asnjë ndasi mes njerëzve.

“Kjo është një dhuratë shumë e çmueshme, faleminderit për këtë pllakë sepse unë dëshiroj që çdo qytetar i Kosovës të dijë se  kjo do të thotë shumë për mua. Jo vetëm për atë çka kam bërë për fëmijët e tyre, për veten, por për atë që ka ndodhur në tërë Evropën. Po jetojmë një kohë me shumë mundësi. Por mund të shfrytëzojmë këtë rast në qoftë se njerëzit janë të lirë gjithandej për të ndërtuar jetën e tyre më të mirë që munden. Jo të brengosur se ku janë lindur dhe çfarë përkatësin etnike janë, nëse janë gra apo burra, çfarëdo ndasie mes njerëzve të injorohet përderisa jeni njerëz të mirë dhe i trajtoni mirë të tjerët dhe i bindi ligjit”, tha ai.

Mes  tjerash, ish presidenti Clinton tregoi dhe rëndësinë e shtatores së tij dhe diskutimin me gruan e tij, Hillary Clinton.

Ndërkaq, i pari i shtetit, Hashim Thaçi u shpreh falënderues ndaj ish presidentit Clinton.

“Mirë se keni ardhur në shtëpinë tuaj dhe familje  tuaj, faleminderit përgjithmonë e me përulje më të madhe dhe në emër  të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe popullit të Kosovës, zoti e bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zoti e bekoftë Kosovën”, tha Thaçi.

Në orët e pasdites, pas dy ditësh qëndrimi në Kosovë., ish presidenti Bill Clinton pritet të udhëtojë për në ShBA.