Policia zbulon vendin e fshehur për kultivimin e narkotikëve me llamba, 3 të arrestuar – një në arrati
Shërbimet e specializuara në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, të mbështetura nga Forca Operacionale dhe “Shqiponja”, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.
Në kuadër të operacionit policor të koduar Neonët 3, u arrestuan në flagrancë shtetasit P. N. (27), banues në Torovicë, S. Gj. (24), banues në Mjedë dhe A. B. (58), banues në Shkodër, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi K. P. (33), banues në Shkodër.
Në vijim të operacionit u ndaluan edhe shtetasit G. A., 63-vjeç, dhe B. C., 33-vjeç, të dy banues në Shkodër, dhe nisi procedimi penal për shtetasit G. Z., 36-vjeç; I. Rr., 34-vjeç; D. T., 54-vjeç; D. P., 32-vjeç; D. S., 39-vjeç; të gjithë banues në Shkodër dhe të gjithë punonjës të OSHEE-së, për veprën penale shpërdorimi i detyrës, kryer në bashkëpunim.
Nga kontrollet në një magazinë në lagjen “Mark Lula”, të përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan 119 bimë të dyshuara kanabis, 2 kg e 170 gramë të kësaj lënde të tharë, 284 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike dhe 7 celularë.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit K. P., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, disa dokumente italiane dhe një palë targa angleze të cilat dyshohen si të falsifikuara, tre byzylykë, një unazë dhe një orë dore Rolex, një DVR, një fenelinë si ato të policisë, një këllëf arme dhe rripa për mbajtjen e armës, si dhe një sasi funtesh britanike.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

